Një fitore dhe një humbje kanë arritur sot ekipet e volejbollit të Vllaznisë. Të dy ato, kanë luajtur në Shkodër teksa femrat kanë pritur UMB Volej ndërsa meshkujt Skënderbeun. Këta të fundit kanë fituar 3-0 ndaj korçarëve ndërsa femrat kanë humbur me të njëjtin rezultat. Meshkujt
Skuadra e Vllaznisë ka fituar pa probleme përballë Skënderbeut. Kuqeblutë kanë mundur në setet 3-0 korçarët duke mos e vënë asnjëherë në diskutim fitoren. Vllaznia e nis mjaft mirë lojën teksa fiton setin e parë 25-21 duke marrë kryesimin e sfidës. Edhe në setin e dytë s’ka vend për diskutime sepse vendasit janë superior teksa fitojnë 25-18. Miqtë nuk kanë aspak fuqi për ti bërë ballë Vllaznisë e cila fiton edhe setin e tretë 25-14 duke e mbyllur ndeshjen në 3-0. Pas kësaj fitoreje Vllaznia vazhdon marashimin e saj në vendin e parë. Kjo javë do të jetë me një përgatitje intensive sepse takimin e radhës Vllaznia e luan në transfertë me rivalët e Tiranës.
Vllaznia – Skënderbeu 3-0
Setet: 25-21, 25-18, 25-14
Vllaznia: N. Qafarena, Taflaj, R. Prela, Boshkoviç, Kuç, Miloti Tr: A. Kalaja U aktivizuan: (A. Qafarena)
Skënderbeu: Haxhillari, Caci, Sotiri, Dragoi, Tepelena, Dedaj Tr: A. Prifti

Femrat
Vllaznia është mundur brenda në fushën e saj. Volejbollistet e Vllaznisë vijojnë të luajnë me oshilacione nga njëra javë në tjetrën. Ky ekip nuk po arrin të konsolidohet. Vajzat shkodrane kanë humbur përballë UMB Volej 0-3. Skuadra mike ka bërë një lojë të mirë duke marrë një fitore të lehtë në Shkodër. Në rastin më të mirë Vllaznia ka realizuar 12 pikë ndërsa në dy sete nuk e ka kaluar shifrën e 10 pikëve. Në setin e parë UMB fiton 25-8 duke kaluar në avantazh. Vajzat kuqeblu luajnë vetëm për statistikë sepse munden edhe në setin e dytë këtë herë 12-25. Në setin e tretë s’ka aspak emocion sepse përsëritet i njëjti skenar i dy seteve të mëparshme. Vllaznia këtë herë humb 9-25 duke bërë që UMB të fitojë 3-0 në Shkodër.
Vllaznia – UMB VOLEJ 0-3
Setet: 8-25, 12-25, 9-25
Vllaznia: Gjelaj, Molla, Rrubini, Picaku, Koçeku, Vistaraj. Tr: S. Gogaj
UMB VOLEJ: Germeni, Shkurti, Tuci, Shehi, Brahaj, Bici Tr: H. Gurabardhi U aktivizuan: (Sejfullahi)

© shkodrasport.com