Barazimi pa gola në transfertën ndaj Kukësit nuk la aspak shije të mirë te Vllaznia, për më tepër që loja nuk ishte aspak bindëse, megjithatë kuqeblutë kanë hedhur gjithçka pas shpine, pasi nesër në orën 16:45 do të presin Tiranën në “Loro Boriçi”.

Derbi i Shqipërisë është vërtetë i ndjerë në Shkodër, me Vllazninë që do të provojë të ndalë vrullin e kryeqytetasve dhe të mbajë të hapur garën për titullin kampion, megjithatë përgatitja e formacionit nuk do të jetë një mision i lehtë për trajnerin Brdariç.

Lajm i mirë është rikthimi i qendërmbrojtësit Mevlan Adili, që ka shlyer pezullimin dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit gjerman, i cili në këtë mënyrë mund t’i rikthehet rreshtimit me tre në prapavijë.

Megjithatë do të mungojnë sërish fantazisti brazilian Da Silva, kapiteni Gurishta dhe mesfushori Fjoart Jonuzi, me këta dy të fundit që kanë shlyer pezullimin, por janë të dëmtuar dhe nuk janë rikuperuar ende.

Gjasat që ata të mund të luajnë ndaj Tiranës janë minimale, megjithatë shpresat e stafit mjekësor janë që t’i rikuperojnë për t’i pasur të paktën në pankinë, në një sfidë ku do të ketë nevojë për të gjithë, për të marrë maksimumin.

Sfida mes Vllaznisë dhe Tiranës do të startojë të shtunën në orën 16:45 në “Loro Boriçi” dhe do të transmetohet në ekranin e SuperSport 3.