Stafi teknik i Vllaznisë, me në krye trajnerin Mirel Josa, kanë pasur ditët e fundit një takim të gjatë me presidentin Alban Xhaferi, ku është diskutuar për ecurinë e skuadrës dhe planin e merkatos së janarit.

Mësohet se kreu i klubit ka shprehur rezervat e tij për disa ndeshje ku rezultatet kanë munguar dhe për më tepër janë lënë shumë pikë në Shkodër.

Xhaferi ka kërkuar garanci nga trajneri Josa, në mënyrë që me rifillimin e kampionatit, Vllaznia të rikthehet me fitore ndaj Partizanit dhe të rindezë shpresat në rrugën drejt titullit.

Burime në klub tregojnë se presidenti dhe trajneri kanë pasur dakordësi për disa emra që pritet të largohen, por edhe ata që mund të afrohen. Eraldo Çinari është një alternativë serioze për t’u rikthyer, por pavarësisht bisedimeve nuk ka ende diçka konkrete mes palëve.