11 vite pritje për të qenë sërish në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Vllaznia ia doli të kualifikohej, edhe pse në fund vuajti ndaj Korabit. Një ndeshje që për hir të së vërtetës kuqeblutë e dominuan që nga vërshëllima e parë e Blerim Zirit e deri tek ajo e fundit.

Por ishte një dominim në qarkullim topi, pa “thumbuar” ashtu si duhet portën kundërshtare, madje në disa momente u shpërqendruan dhe mund të pësonin, siç ishte rasti i Taulant Markut në pjesën e parë apo mundësia e artë e Skukës në minutën e 90-të, ku u duhet bërë monument Zogovicit dhe Mevlan Adilit.

Fitorja e parë pas 5 takimesh do t’i shërbejë shumë psikologjikisht skuadrës së Brdaricit, sepse edhe ndaj Korabit u dallua një ngërç psikologjik tek ekipi, ndonjëherë me dëshirë, por pa qartësi dhe kthejlltësi.

Shumë rëndësi ka rikthimi i dyshes Isaevski-Herald Marku. I pari zhvilloi një paraqitje shumë të mirë, gjatë gjithë kohës imponues në lojën e tij dhe fizikisht në nivelin më të lartë, edhe pse mungonte prej 27 shkurtit, ndërkohë që edhe Marku i kish munguar shumë këtij ekipi, sepse një pjesë e madhe e aksioneve nisin pikërisht nga numri 10.

Kupa është një objektiv, sepse me dy fitore Vllaznia jo vetëm që do të risillte trofenë në Shkodër pas 13 vitesh, por do të siguronte edhe një vend në kualifikueset e Europa League-s.