Vllaznia në basketboll për meshkuj rikthehet tek fitorja në kampionat. Pasditen e sotme ajo ka fituar ndaj Elbasanit me rezultatin 101-74. Ndeshja është luajtur në pallatin e sportit “Tomor Sinani” të Elbasanit dhe është dominuar nga kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Eni Llazani.

Vetëm perioda e parë ka qenë deri diku e rivalizuar dhe ajo është fituar nga Vllaznia me shifrat 24-21. Në të dytën fillon shkëputja dhe ajo do të mbyllej në shifrat 31-20 dhe skuadra shkodrane në këtë mënyrë shkon në pushimin e ndeshjes me një diferencë prej 14 pikësh në favorin e saj.

Një diferencë mëse e mjaftueshme kjo që të kontrollonte gjithçka në fushën e lojës. Madje në periodën e tretë rezultati do të thellohej edhe më shumë sepse Vllaznia do të fitonte sërish 24-11 dhe këtu mbyllet gjithçka. 10 minutat e fundit janë thjesht sa për statistikë dhe mbyllen 22-22.

Përfundimisht i gjithë takimi do të përfundonte me fitoren e ekipit kuqeblu në shifrat 101-74. Për Vllazninë ka spikatur lojtari i ardhur ditët e fundit Bruce Fitzgerald i cili ka shënuar plot 24 pikë në këtë ndeshje, më shumë se gjithë të tjerët.(www.shkodrasport.com)