Tre ikin, dy vijnë. Ndodh kështu tek Vllaznia e cila po has shumë vështirësi në gjetjen e lojtarëve cilësorë në merkato. Duke qenë se mundësitë për tregun shqiptar janë të limituara, drejtuesit kanë hedhur sytë drejt tregut të huaj. Por deri më tani, nuk ka asnjë ardhje cilësore. Dje janë larguar pas dështimit në provë portieri malazez Nemanja Scekiç, sulmuesi po nga Mali i Zi Ognjen Roloviç dhe serbi Aleksandar Rakiç. Megjithatë vendi i tyre nuk ka mbetur bosh. Në stërvitjen e sotme kanë qenë të pranishëm dy futbollistë të rinj. Bëhet fjalë për Leonardo Belmanin dhe Dzmitry Rekish.

I pari është me origjinë braziliane, vetëm 21 vjeç dhe luan në rolin e sulmuesit. Belmani është një futbollist që vitet e fundit ka luajtur në kategoritë e ulëta të futbollit italian dhe tashmë menaxherët i kanë sugjeruar Shqipërinë për vazhdimin e karrierës së tij. I dyti, bjellorusi Reshik është 26 vjeç dhe luan si mesfushor me tipare sulmuese. Bëhet fjalë për një lojtar i cili deri me kombëtaren U-21 ka qenë rregullisht pjesë e ekipeve kombëtare të vendit të tij. Tashmë duhet parë sesi do të shkojë prova e tij tek Vllaznia. Bashkë me brazilianin Belmani, janë dy futbollistë që luajnë në pozicionet ku kuqeblutë kanë nevojë për përforcime. Megjithatë duhet pritur. Trajneri Cungu ka treguar se nuk e jep lehtë OK-in e tij për futbollistët që janë në provë. Ai e ka theksuar gjithnjë se nëse lojtarët që vijnë nga jashtë nuk janë disa herë më të mirë se ata vendas, nuk do të “firmosë” marrjen e tyre.

© shkodrasport.com