Opinion nga Mejdan ZHIVANI

Një ndeshje me dy “fytyra”, mund të konsiderohet për Vllazninë, ajo e zhvilluar mbrëmjen e së shtunës, në stadiumin “Loro Boriçi”, ndaj Dinamos. Këtë e tregoi më së miri edhe mënyra e zhvillimit të takimit dhe në fund, vështirësitë, që patën shkodranët për të marrë tre pikët. Ndonëse të gjithë i janë gëzuar faktit, se u fitua, dhe kjo me të drejtë, në krahun tjetër vihet re një fenomen, ndoshta paksa i përsëritur edhe në ndeshjet e kaluara, por  ndaj bluve kryeqytetas, ishte më i theksuar: eksperimentet. Pa hyrë në detaje apo në problematika specifike, duhet pranuar dhe duhet thënë se Vllaznia nuk ka kohë për eksperimente dhe nuk ka luksin për të nënvlerësuar asnjë kundërshtar. Më shumë se sa nënvlerësim, ndaj Dinamos, u vunë re eksperimente në formacionin bazë. Natyrisht, që këtu nuk mund të hyjë askush, pasi janë anë teknike, që i përkasin trajnerin Rudi Vata dhe stafit të tij, që stërvit çdo ditë skuadrën, por lënia në stol, këtë javë e dyshes Sykaj-Muça dhe për t’i zëvendësuar me dyshen tjetër Petroviç-Belisha në qendër të mbrojtjes, i ka habitur të gjithë, por edhe nuk rezultoi efikas. Ishin bërë disa ndeshje që Muça dhe Sykaj po shfaqeshin mirë në qendër të mbrojtjes dhe papritmas përfundojnë në stol. Eksperimente të tilla janë të rrezikshme, aq më tepër për Vllazninë, që ndodhet në vendin e 6-të me 17 pikë, duke qenë larg objektivave të këtij sezoni, aq më tepër që nuk është momenti i duhur për të bërë të tilla lëvizje në formacionin e kësaj skuadre. Çdo pikë, në këtë situatë, është jetike për Vllazninë. Nëse ndaj Dinamos, nuk do të ishte marrë fitorja; kush do ta mbante përgjegjësinë apo me çfarë justifikimi do të dilej para medias apo publikut shkodran. Kush do t’i merrte përgjegjësitë për një gjë të tillë?!…Nuk është probleme për të bërë askënd fajtor, por prova apo eksperimente të tilla janë, ndoshta, të padobishme për situatën aktuale të Vllazninë, ku mbrojtja e saj gaboi përsëri shumë në pjesën e parë ndaj Dinamos, ku duhet thënë, se në fakt nuk funksionoi e gjitheë skuadra. Nëse Petroviçit duhet më i dhënë “dorën” në janar, s’është e nevojshme, që të bëhen prova në një ndeshje si ajo ndaj Dinamos, duke e rrezikuar shumë fitoren, madje mund të themi se kuqeblutë patën edhe fatin me vete në këtë përballje. Nëse dikush ( nga futbollistët) do të largohet në janar nga Vllaznia, s’është e nevojshme, që për t’i mbyllur gojën, të bëhen eksperimente në ndeshje kampionati, kur pikët janë tejet të domosdoshme. Për 12 javë kampionati, që janë luajtur tani dhe e 13-ta javës tjetër ( nëse luhet), fut këtu edhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, janë të mjaftueshme për të bërë “skanerin” e çdo futbollisti, nëse duhet të qëndrojë në skuadrën shkodrane, pas janarit apo duhet të largohet. Përveç Muçës dhe Sykajt, në stolin e rezervave, ndaj Dinamos, ishin edhe Nimani dhe Hasani, edhe këta dy futbollistë, që më parë kanë provuar të luajnë titullar me skuadrën e Vllaznisë dhe në momente të caktuara kanë dhënë kontributin e tyre për sukseset e kësaj skuadre. Ndërkaq, që jashtë 18-es është lënë Danaj, që duket se është drejt nisjes në janar. Vllaznia ka nevojë të mbyllë këtë fazë, duke synuar që të mos dalë e humbur në ndeshjen e fundit në Peqin, për të marrë pastaj frymë lirshëm në janar, e duke shpresuar që të afrohen lojtarët e duhur, në mënyrë që fundi i sezonit të jetë i suksesshëm dhe jo i dështuar.