Vllaznia e ka mbyllur vitin 2022 në vendin e pestë në tabelën e klasifikimit me 22-pikë, po aq sa Erzeni i vendit të katërt. Kështu, duke u nisur nga objektivat e këtij ekipi, ky pozicion nuk është fort i përshtatshëm për ta, por nëse ritmi ruhet dhe rezultatet vijnë si ndaj Teutës, klubi i Vllaznisë do të vijonte pretendimet e saj për më tej.
Në janar, me rifillimin e kampionatit, ndeshja e rradhës është ajo ndaj Partizanit. Një transfertë e vështirë, duke parë formën e mirë që po kalojnë të kuqtë. “Demat” kryesojnë tabelën e renditjes, por nga ana tjetër as ata nuk do ta kenë të lehtë me Vllazninë, që edhe pse mes luhatjesh, ka treguar deri diku se është një ekip solid.
Ndërkohë, sërish edhe ndaj Partizanit, mungesat do të jenë në disfavor të shkodranëve. Tashmë, përveç Bulatoviç që do të rikthehet në fund të janarit, që mungon që nga ndeshja e kampionatit me Tiranën, mungesave u bashkohet edhe Marko Juriç, i cili plotësoi numrin e kartonëve të verdhë.
Në ndeshjen e parë të janarit ndaj Partizanit, Josa duhet t’i bëjë llogaritë në mbrojtje sërish pa këta futbollistë. Megjithatë, besimi tek Vllaznia është mjaft i madh për të bërë paraqitje dinjitoze në vazhdimësi.
Maringlen ZHIVANI