Pavarësisht dëshirës për t’i shkaktuar ndonjë surprizë ekipit kryesues të kampionatit- Goga Basket, Vllaznia nuk ia ka dalë të fitojë ndaj saj në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit të kësaj të fundit.

Basketbollistët shkodranë vetëm në periodën e parë kanë arritur deri diku të rivalizojnë kundërshtarin sepse më pas, gjithçka ka marrë rrjedhën e një humbje dhe ndeshja është mbyllur me rezultatin e thëllë 106-77 në favor të vendasve.

Perioda e parë u mbyll me 8 pikë disavantazh, 28 – 20 në favor të Goga Basket. Në periodën e dytë Vllaznia bën disa gabime dhe si rrjedhojë shënon vetëm 9 pikë, ndërkohë Goga arrin në 54 pikë.

Në periodën e tretë kuqeblutë mundohen të reagojnë por janë përsëri basketbollistët e Gogës që tregohen superior dhe mbyllin periodën e tretë 74 – 48. Perioda e katërt shërben për statistika pasi Vllaznia nuk mund ti afrohet me pikë dhe krejt takimi mbyllet me fitoren e vendasve 106 – 77.

Për fatin e mirë të ekipit shkodran, edhe rivali i saj kryesor- Kamza, është mundur dje ndaj Tiranës dhe kësisoj kanë mbetur sërish në të njëjtën kuotë pikësh. Mesa duket gjithçka do të vendoset në takimin e drejtëpërdrejtë që këto dy ekipe do të zhvillojnë me njëri- tjetrin pas dy javësh në Kamëz.
© shkodrasport.com