Mirsad Jonuz rikthehet të flasë për Vllazninë. Trajneri 58-vjeçar me origjinë nga Bosnja, por me nënshtetësi maqedonase, la jo pak mbresa në Shkodër gjatë sezonit të kaluar, edhe pse në fund u largua mes polemikave për shkak të problemeve që pati klubi në fillimin e pandemisë. Sot Jonuz drejton një klub në Ligën e Dytë të Katarit që duhet Lusail Siti.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai komenton situatën te Vllaznia dhe shkaqet e kësaj rënieje. Sipas Jonuz, klubi shkodran gaboi që nuk mbajti në ekip kapitenin e sezonit të kaluar, Gilman Lika.
Në bisedën për gazetën, trajneri nuk ngurron të bëjë elozhe për Thomas Brdariç, ndërsa beson se Vllaznia i ka të gjitha shanset për të qenë minimalisht në Kupat e Europës. Mirsad ka një mesazh edhe për kryebashkiaken Voltana Ademi, por gjithashtu edhe kryetaren e Këshillit Bashkiak, Brisela Kadija.
Që pas largimit nga Vllaznia, jeni zhvendosur në Katar, duke qenë trajner i klubit Lusail Siti. Si është të punosh aty?
Unë jam në Katar prej pesë muajsh. Ndihem shumë mirë këtu, pasi po punoj në një klub të ri me një projekt afatgjatë. Gjithsesi, deri në fund të majit do të shohim se çfarë do të ndodhë për vazhdimësinë.
E keni ndjekur këtë periudhë kampionatin shqiptar?
Unë e ndjek kampionatin shqiptar rregullisht. Kuptohet që informohem për gjithçka kur kam kohën e mjaftueshme. Mendoj se cilësia është më e ulët se në sezonin e kaluar. Sa për ish-klubin tim, Vllaznia, është një surprizë për mua ky pozicion që ndodhet edhe aktualisht.
OK, por nga 9 pikë diferencë pak javë më parë, tani nuk është më në krye, madje ka dy pikë më pak se Laçi i vendit të parë…
Nuk është ndonjë ndryshim i madh, pasi gjithçka është në lojë për titullin dhe Europën. Vllaznia ka një trajner me nivel dhe kjo më bën optimist.
Si e shpjegoni këtë rënie të skuadrës, kush mund të ketë ndikuar më tepër?
Rënia e ekipit erdhi, sepse për mendimin tim pati një eufori të madhe nga sponsorët, trajnerët dhe lojtarët. Menduan para kohe se ishin kampionë. Pika e tyre e dobët është se ata nuk kanë një udhëheqës në ekip. Kur isha unë trajner, ishte Giljman Lika. Për mendimin tim ky lojtar duhet të ishte mbajtur për të qenë udhëheqësi i skuadrës.
Klubi ishte shumë pranë ndryshimit të trajnerit. Ju duket e logjikshme kjo?
Kur mungojnë rezultatet gjithmonë trajneri është përgjegjës. Drejtuesit e dinë më mirë nëse do të bëhej apo jo ai ndryshim. Koha do ta tregojë nëse kanë patur apo jo të drejtë.
Vllaznia ka dalë në shitje, por ende ky proces nuk ka përfunduar. Sa mund të ndikojë për këtë sezon ky ndryshim që mund të bëhet?
Çdo ndryshim në klub është i rëndësishëm. Megjithatë, ata që e kanë duhej ta mbanin ekipin deri në fund të sezonit, pasi gjithçka ka ndikimin e vet.
Mendoni se Vllaznia e sotme është më e mirë se ekipi që ju keni drejtuar?
Mendoj se ekipi i këtij viti dhe ai i sezonit të kaluar janë të njëjtë, por në një situatë tjetër. Tani ata kanë një sponsor dhe një bashki që po qëndron shumë afër klubit. Në kohën time ishte vetëm një si Suad Lici, i cili më ndihmoi shumë dhe e përshëndes sërish. Ndonjëherë ishte nervoz, por në thelb ai është një njeri shumë i mirë.
Janë 4 ekipe që luftojnë për titull, sa shanse mendoni se ka Vllaznia në garën për të qenë kampione deri në fund?
Asgjë nuk është e pamundur. Siç ishte në vend të parë, mund të rikthehet sërish. Shanset janë të mëdha.
Kupa mund të jetë një opsion për të mos dalë pa trofe…?
Vllaznia është në lojë në të dyja frontet dhe kjo është diçka e mirë. Ka shanse për gjithçka ose asgjë. Tani është e rëndësishme që ata të jenë të qetë psikologjikisht dhe të dalin nga kjo situatë.
U larguat me polemika nga Vllaznia. E mendoni një rikthim në të ardhmen në kampionatin shqiptar?
Kam biseduar me një klub në Shqipëri përpara se të vija në Katar. Ka shumë mundësi që një ditë të punoj përsëri te Vllaznia ose në një ekip tjetër të Superligës.
Çfarë nuk do të harroni kurrë nga Shkodra?
Së pari një përshëndetje speciale për fansat e Vllaznisë, e në veçanti grupimin “Power 12”. Shprehjen e tyre “mirëmëngjesi legjendë” e kam akoma në mendje. Me këtë rast dua të përshëndes edhe trajnerët që më mbështetën, Safet Osja dhe Ideal Lekiqi. Një mesazh kam për kryetaren e bashkisë, Ademi, si dhe atë të Këshillit Bashkiak, Kadija. Do t’u thosha që të bëjnë sa më shpejt të jetë e mundur privatizimin e klubit.