Ylli i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, i është gëzuar kualifikimit të Lyonit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi që kjo ia dha mundësinë t’i përqeshë tifozët që e nënvlerësojnë konkurrencën në Ligue 1.
Për herë të parë që nga viti 1991, tri ligat më të mëdha evropiane – Premierliga, La Liga dhe Serie A – kanë mbetur pa asnjë përfaqësues në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.
Ëndrrën për kualifikim në finale dhe marrjen e trofeut tani po e vazhdojnë dy klube nga Gjermania, Bayern Munichu dhe Leipzigu, si dhe dy klube nga Franca, Paris Saint-Germaini dhe Lyoni.
Kjo e ka shtyrë Mbappen t’i tallë tifozët që e quajnë ligën elitare të futbollit në Francë, Ligue 1, “Ligë të fermerëve” kurdo që PSG-ja fiton ndonjë garë në Francë, si këtë sezon që i ka fituar katër trofetë vendorë.
Paris Saint-Germaini e mposhti Atalantan në çerekfinale dhe tani do të përballet më 18 gusht, të martën, në gjysmëfinale kundër Leipzigut, që e eliminoi Atletico Madridin për t’u kualifikuar në gjysmëfinale për herë të parë në histori të tyre.
Në anën tjetër, Bayern Munichu e turpëroi Barcelonën me rezultat 8:2 në çerekfinale dhe e siguroi një vend në gjysmëfinalen tjetër që do të zhvillohet më 19 gusht, të mërkurën, kundër Lyonit, që sonte e mposhti Manchester Cityn.
Fituesi i këtij edicioni do të zbulohet më 23 gusht, kur do të nisë finalja në orën 21:00 në Lisbonë për ta përfunduar një edicion të jashtëzakonshëm të futbollit evropian, shkaku edhe i ndërprerjes dhe ndryshimeve që i solli përhapja e koronavirusit në botë. /Gazeta Express/