Vllaznia ka një bazë të fortë për të nisur fazën e dytë të Superiores. Shkodranët janë ekipi që kanë arritur të grumbullojnë më shumë pikë, nëse llogarisim vetëm ndeshjet e luajtura në shtëpi.

Ekipi i Mirel Josës ka arritur që të marrë nëntë pikë, një më shumë sesa Erzeni dhe dy më shumë se Bylis dhe Partizanit. Kjo do të thotë se “Loro Boriçi” është fortesa dhe vendi, ku mund të ngrihen themelet e ëndrrës për titullin kampion.

Këto nëntë pikë kanë ardhur falë tre fitoreve që skuadra ka arritur kundër Kukësit, Kastriotit dhe Bylisit. Poashtu, edhe mbështetja e tifozërisë është një aspekt që ndihmon ekipin kuqeblu dhe kështu, Vllaznia do të kërkojë që të vazhdojë këtë ecuri pozitive edhe në sfidën e parë të fazës së dytë ndaj Erzenit.

Sfida Vllaznia-Erzeni do të luhet ditën e nesërme në orën 16:45, në stadiumin “Loro Boriçi” dhe do të transmetohet në kanalet e platformës “OverSport”.
Maringlen ZHIVANI