Pas eleminimit të Vllaznisë së meshkujve nga Conference League, tashmë është rradha për të mësuar se si do të paraqitet skuadra kuqeblu e femrave në takimet e saj në kompeticionin e “UEFA Women Champions League”.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka ka nisur prej disa javësh edhe përgatitjet për ndeshjet që i presin në fund të muajit gusht. Në pritje të sfidës së 21-gushtit, futbollistet kuqeblu kanë vijuar përgatitjet intensive, duke pasur në gjirin e tyre edhe disa përforcime të reja.

Ndërkohë, krahas proçesit stërvitor, nga sa bëhet e ditur dhe nga sa është programuar, Vllaznia e femrave pritet të zhvillojë pasditën e sotme një ndeshje miqësore me skuadrën kampione të kampionatit kosovar, KFF Ep Com Hajvalia. Drejtuesit e klubit të Vllaznisë në futboll për femra, me në krye presidentin Lazër Matija, kanë shfrytëzuar rastin për të zhvilluar një ndeshje miqësore, në pritje të sfidës së 21-gushtit.

Për skuadrën shkodrane dhe trajnerin Nikolin Leka, kjo do të jetë një ndeshje e rëndësishme për të shikuar konkretisht gjendjen reale të ekipit të tij dhe për më tepër edhe pas ardhjes së disa futbollisteve nga merkatoja. Kjo ndeshje do të luhet ditën e sotme në Prishtinë, duke nisur nga ora 17:30, teksa Vllaznia ka udhëtuar enkas nga Shkodra për këtë sfidë.
Maringlen ZHIVANI