Vllaznia në luftë me kohën. Kur kanë mbetur edhe 4 ditë nga afati i dorëzimit të dokumentacionit për liçensimin në Europë dhe çështja që po mban të ngrirë situatën në kampin shkodran janë borxhet ndaj tatimeve. Pas miratimit të një fondi të shpejtë nga ana e Bashkisë së Shkodrës për të mbyllur disa çështje emergjente financiare, Këshilli Bashkiak nuk e ndezi dritën jeshile dhe situata është në pikën zero.

Momentalisht nga ambjentet e klubit nuk rrjedh asnjë informacion por sponsori kryesor i skuadrës, Alban Xhaferri po punon për të zgjidhur sa më shopejt këtë situatë. Në rast se nuk do të respektohet afati dhe kushtet e licencimit, do të ishte një dështim i madh sportiv por mbi të gjitha financiar për Vllazninë që nuk e shijon aromën europiane prej rreth 1 dekade.

I kontaktuar nga RTSH Sport, Xhaferri konfirmon se po punon që bashkë me stafin e tij të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejtë që nuk kalon nga rrugët e institucioneve lokale.

Një prej alternativave është marrëveshja dypalëshe me organet e tatimeve për të shtyrë në kohën pagesën e detyrimeve, por nuk përjashtohet mundësia që në klub të afrohene dhe sponsor të ndryshëm për t’i dhënë zgjidhje sa më të shpejtë situatës.

Ndër kushtet e liçensimit, më kryesori në hierarkinë e UEFA-s është ai financiar që prej disa muajsh kalohet në lupë edhe nga vetë institucioni i futbollit europian, nëpërmjet një sistemi aplikimi që e ka bërë të përdorueshëm nga të gjitha klubet aplikuese.

Borxhet e Vllaznisë ndaj intitucioneve shtetërore e kalojnë shumën e 1 miliardë lekëve dhe cështja e shtyrjes në kohë është një problem që nuk arrin të marrë zgjidhje prej shumë vitesh.