Mbrëmjen e kaluar, skuadra e Vllaznisë e drejtuar nga Mirel Josa, është stërvitur në stadiumin “Loro Boriçi”, nga ora 19:00 deri në 20:30, pra në orarin e ndeshjes finale të Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit.
Sipas stafit teknik, kjo i shërben shumë skuadrës, e cila ka më tepër kohë për t’u përgatitur fizikisht përpara një ndeshjeje finale, pasi kanë orar më të përshtatshëm për sa i përket gjumit dhe ushqyerjes, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në rendimentin e futbollistëve.
Grupi ka qenë i plotë në seancën e djeshme stërvitore, kur trajnerët Josa-Miloti kanë pasur në gatishmëri të gjithë futbollistët. Për këtë ndeshje finale, skuadra e Vllaznisë pritet të jetë e plotë. Megjithatë, pritet të ketë edhe ndonjë ndryshim në 11-she, por mbetet për t’u parë në seancën e fundit stërvitore.
Ndërkohë në stërvitjen e fundit, që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi”, pritet të shfaqen tifozë në përkrahje të ekipit për t’i dhënë moral për këtë ndeshje finale ndaj Laçit. Megjithatë, kjo gjë mbetet për t’u parë mbrëmjen e sotme.
Maringlen ZHIVANI