Drejtuesit e klubit kanë kërkuar të mbajnë skuadrën sa më larg presionit, në mënyrë që përgatitja e ndeshjes ndaj Laçit nga trajneri Mirel Josa të jetë në nivele maksimale.

Kësisoj, që prej së shtunës ekipi është grumbulluar në një nga resortet jashtë qytetit të Shkodrës, ku do të qëndrojë deri në pasditen e sotme, për të udhëtuar më pas drejt kryeqytetit.

Në ditët e fundit kuqeblutë janë stërvitur në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”, por edhe në atë të fshatit Golem.

Ajo që bie në sy gjatë këtyre përgatitjeve është atmosfera pozitive brenda grupit, në një kohë që mbizotëron serioziteti dhe optimizmi për të kaluar me sukses këtë ndeshje të fundit për sezonin 2021-2022.

Në historinë 103-vjeçare si klubi më i vjetër në futbollin shqiptar, Vllaznia e ka fituar shtatë herë Kupën, duke qenë ekipi i katërt që ka pasur më tepër sukses në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm.