Vllaznia ka nisur që ditën e dielë përgatitjet për ndeshjen e së premtes ndaj Kukësit. Stafi teknik tashmë ka filluar të mendojë për formacionin dhe skemën e lojës që do të aplikojë në këtë takim. Ditën e djeshme ndërkohë ekipi ka zhvilluar dy seanca stërvitore, paradreke në palestër dhe pasdreke në fushën sportive “Reshit Rusi”. Për trajnerin Gjoka, problem mbetet gjendja fizike dhe shëndetësore e 2-3 lojtarëve dhe kjo gjë mban në njëfarë mënyre peng edhe formacionin për ndeshjen ndaj kukësianëve.

Orelesi ka disa probleme fizike ngaqë është bashkuar vonë me skuadrën në stërvitje. megjithatë po projektohet për ta nisur si titullar në këtë takim. Edhe për mbrojtësin e krahut të djathtë ka një dyshim sepse në mungesë të Gocajt të dëmtuar, është projektuar të luajë Pjeshka në këtë pozicion por edhe ai nuk po kalon një gjendje të mirë dhe prandaj do të shihet deri të enjten nëse mundet të jetë në fushë apo jo. Edhe Bardulla ka patur një dëmtim dhe nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm. Por pavarësisht këtyre lajmeve, objektivi i Vllaznisë për këtë ndeshje është i qartë: vetëm fitorja. Trajneri i kuqebluve e ka bërë të qartë se tashmë nuk ka më justifikime.

Merkatoja e zhvilluar gjatë janarit, ka ngrohur atë dhe gjithë opinionin sportiv prandaj pritet kthesa. Mbi të gjitha në rezultate sepse skuadra ka më shumë nevojë se kurrë për pikë. Po ashtu, pritet që për ndeshjen e së premtes që do të luhet në orën 17.00 në stadiumin “Loro Boriçi”, Vllaznia të ketë edhe mbështetjen e tifozëve të saj. Numri i tyre këtë herë pritet të jetë më i madh se herët e tjera sepse po vërehet një interesim më i madh për skuadrën gjatë kësaj periudhe. Një nisje e mbarë me një rezultat pozitiv në këtë ndeshje ndaj Kukësit, do të ishte një nxitje madhe për të, për ndeshjet e ardhshme.

© shkodrasport.com