Vllaznia e basketbollit të meshkujve do të luajë ditën e shtunë ndeshjen e fundit të fazës së dytë të kampionatit. Në fakt ajo është një ndeshje e prapambetur dhe do të zhvillohet në orën 18.00 të kësaj dite, duke pritur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipin kryesues, atë të Teutës së Durrësit.

Kjo do të jetë një përballje e cila nuk do të ndikojë në renditjen përfundimtare të ekipit shkodran, pasi ai e ka siguruar tashmë vendin e tretë. Edhe në rast humbje, kuqeblutë do të barazoheshin me pikë me Kamzën e vendit të katërt, por me bilanc më pozitiv në përballjet direkte me të, e ka siguruar përfundimisht vendin e tretë.

Dhe në fakt, ky ka qenë objektivi i tyre sepse në këtë mënyrë do të ndeshen në gjysmëfinale të kampionatit me ekipin e Tiranës. Ideja ka qenë për ta shmangur në këtë tur Teutën, e cila konsiderohet edhe skuadra më në formë e kampionatit. Pikërisht për këtë arsye, edhe përballja e së shtunës me durrsakët do jetë një test për Vllazninë, për të matur forcat me kundërshtarin e mundshëm në finalen e kampionatit.

Duhet thënë se ekipi shkodran në ndeshjet e zhvilluara së fundi, që prej periudhës kur në krye të tij është trajneri Damian Bekteshi, ka një ecuri shumë të mirë. Në 5 takimet që ai e drejton këtë skuadër, ajo ka arritur 4 fitore dhe vetëm 1 humbje, pikërisht ndaj Teutës.

Për këtë arsye, të shtunën po ndaj durrsakëve do të tentojë sërish fitoren, qoftë edhe për të ruajtur këtë ecuri në prag të nisjes së ndeshjeve të fazës play-off. Synimi i Vllaznisë kuptohet që është kalimi i Tiranës në gjysmëfinale dhe dalja në finalen e kampionatit, për të tentuar më pas, pse jo edhe fitimin e titullit të 10-të kampion./SHKODRA-SPORT.COM/