Java e 16-të e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj do të dhurojë një sfidë shumë interesante, atë në mes dy ekipeve më të mira të tij, Vllaznisë dhe Tiranës. Ndeshja do të luhet ditën e shtunë në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe pritet me interes të madh nga të dy skuadrat. Po ashtu edhe nga tifozëria shkodrane e cila mezi e pret këtë ballafaqim për të mbushur shkallët e pallatit të sportit. Kuqeblutë patjetër që do të tentojnë fitoren për të ruajtur vendin e dytë në klasifikim por po ashtu, edhe për t’i treguar tiranasve forcën e tyre pikërisht në prag të ndeshjeve të plej- ofit. Trajneri i Vllaznisë Sarin padyshim që po kërkon maksimumin nga basketbollistët e tij dhe është i mendimit se ata mund të japin më shumë në fushën e lojës. Kuptohet që edhe ardhja e tij nga Kroacia në Shkodër, pikërisht për këtë arsye është bërë: për ta nxjerrë kampionë këtë ekip për të katërtën herë rradhazi. Mundësitë për këtë janë por natyrisht që duhet ende punë. Stafi teknik kërkon edhe pak kohë për harmonizimin e duhur të lojtarëve të ardhur dhe ato shkodranë dhe nga ndeshja në ndeshje, po shihen përmirësime në këtë drejtim. Takimi i së shtunës me Tiranën do të jetë një test i mirë në këtë drejtim për shkodranët. Presidenti Dibra e ka bërë të qartë se çfarë kërkon nga skuadra e tij dhe kuptohet që ajo duhet të bëjë maksimumin për t’ia plotësuar atë kërkesë ndonëse nuk do të jetë e lehtë. Megjithatë, mund t’ia dalin dhe prova e parë për këtë, do të jetë ajo e së shtunës në “Qazim Dervishi” ndaj Tiranës.

© shkodrasport.com