Paraditen e sotme janë zhvilluar ndeshjet e javës së parë të kampionatit kombëtar për moshën U-17 në futboll. Ekipi i Akademisë Vllaznia ndeshjen e parë e ka luajtur në shtëpi ndaj Shkëndisë së Tiranës por fillimi që ai i ka bërë kampionatit, nuk ka qenë i mirë.

Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Bizi kanë humbur 2-3 në “Reshit Rusi”. Ata nuk e kanë interpretuar siç duhet ndeshjen.

Miqtë kanë shënuar të parët me anë të Sulovarit në minutën e 38-të dhe pjesa e parë do të mbyllej vetëm me këtë gol. Në të dytin pati përpjekje të shkodranëve për të barazuar por ka qenë sërish Shkëndia që ka shënuar edhe golin e dytë me anë të Nikollës.

Pas këtij goli, Vllaznia U-17 sikur është zgjuar dhe mesfushori Papaj në ’56 ka ngushtuar shifrat. Tre minuta para fundit ka ardhur edhe goli i barazimit për kuqeblutë me autor Palokën.

Këtu u duk se ndeshja do të mbyllej në shifrat e barabarta por Balliu do të shënonte në fund golin e fitores për miqtë që kësisoj kanë dalë triumfues nga ky takim.
© shkodrasport.com