Gardiani i portës shkodrane, Alen Sherri, e sheh të vështirë fazën e dytë. Sipas tij, ajo do të jetë trefish më e vështirë sesa faza e parë. Aleancat që mund të kenë ekipet dhe po ashtu edhe mobilizimi që do të kenë ndaj skuadrës së Vllaznise.

Dihet tashmë se aleancat dhe tolerimet në Kategorinë e Parë bëhen hapur dhe pa asnjë problem nga ekipet, pasi ato nuk dënohen nga FSHF. “Faza e dytë do të jetë trefish më e vështirë sesa ajo e para. Në këtë fazë mund të ketë edhe aleanca, të cilat mund të na dëmtojnë ne. Për më tepër, ekipet do të kërkojnë që të zënë një vend në 5-shen e parë dhe për këtë do të bëjnë gjithçka që të munden për të bërë fakt këtë gjë.

Prandaj, i shikoj të gjithë takimet e kësaj faze të dytë të vështira. Nuk do të kemi të lehtë me asnjë skuadër. Të gjitha ekipet i kemi parë edhe në fazën e parë sesi mobilizohen dhe luajnë fort kundër nesh. Kjo do t’i shtojë vështirësitë. Por, ne jemi të bindur për të vijuar ecurinë e fazës së parë dhe të jemi të shkëputur në fund të kësaj faze nga ndjekësit më të afërt”, u shpreh portieri.

TRANSFERTAT

Vllaznia ka pesë takime në këtë fazë në transfertë. Të gjitha këto takime shikohen si të vështira prej kuqebluve. Kjo, jo vetëm për atë që mund të luhet në fushën e blertë, por më tepër për ashpërsinë që skuadrat vendase tregojnë ndaj kuqebluve. “Kemi transferta të vështira në këtë fazë. Mendoj se terrenet ndikojnë. Por, ajo që do të kërkojnë ekipet vendase do të na vështirësojnë përballjet në fushën e lojës.

Megjithatë, jam i mendimit se skuadra do të paraqesë një impenjim total dhe një shpirt të lartë gare në çdo takim dhe normalisht që do të marrim maksimumin që kërkojmë.

Ne do të kërkojmë në çdo takim fitore dhe nuk i trembemi kësaj gjëje. Një gjë të tillë do të bëjmë edhe në takimin e së shtunës në Dibër. Kjo përballje do të jetë e vështirë për ne, por jo e pakalueshme. Ne e kemi vlerësuar drejt këtë kundërshtar, për më tepër se në shtëpinë e vet zhvillon lojëra të mira dhe ka marrë rezultate pozitive”, vijoi gardiani kuqeblu.

GOLAT

Sherri në fazën e parë të këtij kampionati ka pësuar vetëm tre gola. Kjo tregon për formën e mirë të portierit, por edhe të repartit të mbrojtjes gjithashtu. Sherri dëshiron që edhe në këtë fazë të dytë të ruajë siç duhet portën e Vllaznisë dhe të pësojë sa më pak gola.

“Dëshira e çdo portieri është që të pësojë sa më pak. Një gjë të tillë dëshiroj që ta bëj së bashku me gjithë ekipin edhe në fazën e dytë. Besoj se do të jemi sërish ajo skuadër e fazës së parë, ku do të kërkojmë që të shënojmë sa më shumë e të pësojmë sa më pak”, deklaroi portieri shkodran, Alen Sherri.