Shumë emocione ka dhuruar finalja e pasdites së sotme, ajo në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Atletik të moshës 15 vjeç dhe që ka ulur siparin e të gjithë kampionateve të moshave për Zonën e Shkodrës të sezonit 2018-2019.
Në fund ka triumfuar ekipi i Vllaznisë që ka fituar me rezultatin 1-0 këtë finale të luajtur në kompleksin “Zmijani” dhe kësisoj ka merituar edhe kupën.
Goli përcaktues i ndeshjes është shënuar nga futbollisti Talani në minutën e 60-të dhe më pas, Vllaznia ka patur edhe 2-3 mundësi të mira për të shënuar sërish por lojtarët e saj nuk ia kanë dalë.
Edhe Atletik e ka kërkuar me ngulm golin e barazimit deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit por nuk ia kanë dalë ta shënojnë. Megjithatë, duhen thënë fjalë të mira edhe për këtë ekip i cili ka bërë një kampionat thuajse perfekt.
Në fund është zhvilluar edhe ceremonia e mbylljes së kampionatit, ku përveç çmimeve për arbitrat më të mirë, janë vlerësuar edhe lojtarët më të mirë.
Kështu, trofeun e lojtarit më të mirë e ka marrë futbollisti Albion Kurbasha i ekipit të Vllaznisë. Po nga ky ekip ka dalë edhe fituesi i trofeut të lojtarit të perspektivës që ka shkuar për Arval Maliqin.
Sa i takon çmimeve për ekipet, shumë domethënës ka qenë një diplomë e dhënë për ekipin “Juban Danja” të përbërë nga fëmijë të komunitetit rom dhe egjiptian si ekipi fair- play. Po për këtë ekip gjatë kësaj ceremonie, ka dhënë një kupë edhe shkrimtari i njohur shkodran David Boseta.
Ndërkohë diploma e vendit të dytë ka shkuar për ekipin Atletik kupën e vendit të parë kapitenit të Vllaznisë william Cungu ia ka dorëzuar shefi i Zyrës Rajonale të FSHF-së Hysen Zmijani.
© shkodrasport.com