Arsid Tafili, një nga futbollistët më me eksperiencë që ka Vllaznia dhe që e ka mbyllur kontratën me të në fund të sezonit, është në pritje të uljes në bisedime me klubin shkodran.

Për Tafilin, klubi duhet që të respektojë dhe vlerësojë futbollistët shkodranë për sakrificat që bënë një sezon më parë, ku vështirësitë nuk ishin të pakta. Ai ka besim se dyshja Liçi e Firat do ta ribëjnë Vllazninë, por afrimet do të varen edhe nga fondet që klubi do të ketë. Ndërsa vetë lojtari, në këtë intervistë, është shprehur se ka marrë edhe oferta nga dy klube të Superligës së Kosovës.

Tafili, ju ka përfunduar kontrata me klubin në maj. A keni marrë kontakte për ta rinovuar atë për këtë sezon?

Unë kam qenë për pak ditë me pushime dhe nuk jam ulur dhe nuk kam diskutuar akoma me drejtuesit e klubit. Nga sa kam marrë vesh, shpejt do të ulemi dhe do të diskutojmë për të ardhmen.

Si e shikoni ju, është e vonuar Vllaznia në nisjen e punës apo e ka kohën e mjaftueshme për t’u ribërë?

Mendoj se vjet ne ishim shumë vonë. Pavarësisht se ishim në Kategorinë e Parë, u bëmë gati vetëm në gusht. Kishim pak kohë për fazën përgatitore dhe për më tepër atë e bëmë në Shkodër. Edhe në janar nuk bëmë një fazë përgatitore siç duhet. Shkak, kushtet atmosferike e shumë gjëra si këto.

Gjithsesi, atë kalim në Superiore, që të gjithë e quajtën të lehtë, për mua nuk ka qenë i tillë. Për këtë drejtuesit e klubit, sidomos me ne lojtarët shkodranë, që edhe presionin e asaj rënie e patëm më të madh, duhet që ta vlerësojnë e ta respektojnë atë sakrificë që bëmë. Për ne nuk ishte e lehtë të ishim pjesë e klubit në ato momente kur e braktisën të gjithë.

Keni oferta të tjera apo prisni në radhë të parë Vllazninë?

Pikësëpari do të pres Vllazninë. Unë pres të shtohem dhe me një tjetër fëmijë. Dihet se largësia nuk është shumë pozitive për askënd. Dua të them se kam edhe dy oferta nga ekipe të Superligës së Kosovës. Unë atje kam një derë të hapur që kur kam luajtur në Kosovë. Këto oferta do t’i shoh pasi të kemi konsumuar bisedimet me drejtuesit e Vllaznisë.

Si e shikoni ribërjen e kësaj Vllaznie? Do të jetë një skuadër që nuk do të vuajë në Superiore, apo mund të ketë të njëjtin fat si edhe Tirana që e diskutoi qëndrimin deri në fund?

Të them të drejtën, nuk di se sa do të jetë forca financiare që drejtuesit të bëjnë lëvizjet e duhura në forcimin e skuadrës. Kjo është një gjë thelbësore. Ama, dua të them se Vllaznia ka një dyshe si Lici e Firat që janë njerëz të futbollit dhe e njohin mirë atë. Mendoj se edhe afrimet do të jenë ato të duhurat. Pastaj, nëse do të kemi vështirësi të rrugës apo në sezon, kjo nuk mund të thuhet tani. Jemi shumë herët.

Sa mund të jenë problem zgjedhjet lokale?

Bashkia me sa di unë i ka zgjidhur herët problemet e financave për klubin. Pra, nëse do të jenë financat e garantuara, nuk do të kenë ndonjë ndikim të madh. Gjithsesi, edhe kjo mbetet për t’u parë. Shpresoj që Vllaznia ta nisë shpejt ribërjen dhe të ketë gjithë kohën e mjaftueshme për të zhvilluar një fazë përgatitore sa më të plotë. Kjo ka rëndësinë e vet për vazhdimësinë./panorama-sport/