Në fushë Gattuso, jashtë fushe… Maldini, Leonardo dhe Ivan Gazidis. Për ata që ende nuk e dinë, arkitekti i Arsenalit, që njeh me rrënjë e dhëmballë se si duhet ndërtuar një klub i suksesshëm dhe që edhe nga qindarkat e vogla ka mundur të sjellë fitime dhe të investojë me laps e letër, ka pak ditë që ka nisur punën. Sipas asaj që shkruan Sportmediaset, përshtypja e parë e atyre që e kanë takuar në Milanello është super pozitive. E një personi që e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë dhe se si.

Merkato është kryefjala në selinë kuqezi. Emra, mundësi dhe sidomos aspekti ekonomik. Në pritje të fjalës së UEFA-s mbi situatën e bilanceve, telefoni i Leonardos nuk pushon së rëni dhe mesazhet gjithashtu shkojnë e vijnë. Emri “big” është Zlantan Ibrahimovic.

Suedezi po përfiton nga pushimi dhe në Turqi ndodhet për pasionin e tij, gjuetinë. Telefoni ndezur, në pritje që Raiola t’i japë lajmin. “Vishu, bëhu gati, flutorjmë në Milano!”.

Los Angelos Galaxy po dorëzohet dita ditës. Nuk ka mundësi ekonomike të mbajë sudezin dhe kërkesa e tij është e lartë, pikërisht për t’u shkëputur. Në mendjen e tij është Milani dhe shansi i fundit për t’i dhënë kuqezinjve lavdinë dhe kthyer në Champions. Me largimin e tij dhe Thiago Silvas, nisi rënia e “Djallit”.

Në MLS, eskperienca e Ibras quhet e mbyllur. Ka shënuar 22 gola në 27 ndeshje dhe tashmë është 37 vjeç, por ka ende energji për t’i dhënë tifozëve kuqezi atë që dëshirojnë: të kthehen në elitë, ku i përket. Me “Djallin” ka luajtur nga viti 2010 deri në 2012, duke shënuar 56 gola në 85 ndeshje.

Gazetari ekspert dhe tifoz i Milanit, Carlo Pellegatti, ka zbuluar edhe prapaskenat: “Dëshmitari i fushatës së abonimeve për vitin 2019 do të jetë pikërisht Zlatan Ibrahimovic. Një emër i madh, që tifozët e duan. Pikërisht më 12 janar do të vijë debutimi i tij, në Superkupën e Italisë, ndaj Juventusit. Asnjë nuk mund të më thotë të kundërtën. Në mes të dhjetorit do të vijë lajmërimi i madh. Ibra do Milanin, Milani do Ibrën. Kjo punë ka mbaruar!”.

Në anën tjetër, Ivan Gazidis ka zbritur në fushë personalisht duke kontaktuar agjentin e Fabregasit, pasi e njeh mirë lojtarin. i ka thënë që të refuzojë çdo ofertë nga Kina, Spanja apo vende të tjera. Duhet gjetur gjuha me Chelsean dhe nuk do të jetë e lehtë, por besimi është i madh. Sarri është mes dy zjarreve: Fabregas duhet të luajë, ose duhet të shitet. Milani, ndërkohë, provon kartën “Bakayoko”.

Bisedimet për Fabregas përfshijnë mesfushorin e huazuar në verë, me të drejtë blerje 35 mln euro. Nëse ka skonto, atëherë merret edhe Fabregas. Bakayoko i ka thënë Chelseat se nuk dëshiron të kthehet më dhe se ka gjetur dimensionin e tij në “San Siro”.

Ibrahimovic-Fabregas, Milani është gati për dhuratat e Krishtilindjeve dhe Vitit të Ri…