Hije dyshimi në futbollin anglez, teksa së fundmi federate e këtij vendi ka nisur një hetim për ndeshjen e Arsenalit ndaj Oksford, e luajtur mbrëmë dhe e vlefshme për Kupën, teksa dyshohet për fiksim rezultati.

Topçinjtë kaluan në raundin e katërt të kompeticionit falë triumfit 3-0 ndaj ekipit të Ligës së Parë. Pavarësisht këtij rezultati, kjo ndeshje ka përfunduar në qendër të vëmendjes.

Shkak është bërë kartoni i verdhë i futbollistit të Oksfordit, Kieron Braun, teksa ishin vendosur shuma të mëdha për një variant të tillë. Ai nuk është një futbollist që bën një lojë të ashpër, ndaj sipas statistikave, ai është ndëshkuar një herë në 801 minuta lojë.

Rreth lajmit ka reaguar edhe vetë klubi i Oksford teksa shkruan: “Klubi do të bashkëpunojë plotësisht për çdo hetim dhe për momentin nuk do bëjë ndonjë koment tjetër”.