✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA

Vllaznia U17 në futboll për femra e ka nisur me fitore kampionatin e ri. Vajzat shkodrane janë kampione në fuqi të vendit dhe padyshim që do të kërkojnë ta mbrojnë sërish titullin kampion edhe këtë sezon.

Pasditen e sotme ekipi i drejtuar nga trajnerja Paula Jaku ka luajtur në Durrës ndaj Teutës dhe ka fituar me rezultatin 3-1. Takimi në fakt ka nisur më mirë për vendaset të cilat kanë kaluar në avantazh që në minutën e 8-të me anë të futbollistes Hysa.

Shkodranet nuk pajtohen me disavantazhin dhe pas disa përpjekjesh arrijnë të gjejnë golin e barazimit në minutën e 34-të me anë të futbollistes Ecrin Ileri. Ndërkohë katër minuta para fundit të pjesës së parë, Vllaznia U17 shënon dhe golin e dytë. Këtë herë autore e tij është futbollistja Egla Hoxha dhe kësisoj ky 45 minutësh i parë do të mbyllej me avantazhin 2-1 në favor të vajzave kuqeblu.

Në fillimin e së dytës është sërish Egla Hoxha e cila do të shënonte golin e dytë personal dhe kësisoj i gjithë takimi do të mbyllej me fitoren 3-1 të Vllaznia U17 që në këtë mënyrë i bën një nisje të mbarë kampionatit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”