Vllaznia U17 arriti të marrë një tjetër Kupë pak ditë më parë, teksa u shpall fituese e “Tornei Giovanili Siçilia” në Itali. Në këtë turne, ekipi i 17-vjeçarëve kuqeblu zhvilloi pesë ndeshje, nga të cilat fitoi tre dhe barazoi dy, me një golavarazh prej 13 golash të shënuar dhe asnjë të pësuar.

Padyshim që, këto shifra tregojnë se skuadra e drejtuar nga trajneri Gilman Lika me meritë është shpallur fituese. Megjithatë, njëri nga protagonistët kryesorë ka qenë portieri i Vllaznia U17, Fabian Lekaj, i cili ka zhvilluar ndeshje fantastike ndaj skuadrave të ndryshme sa i takon anës individuale në këtë turne, teksa ka mbajtur portën e tij të paprekur.

Këtë e dëshmojnë edhe statistikat e këtyre ndeshjeve, pasi realisht po të mos ishte ai në katërkëndëshin e portës së Vllaznia U-17, kuqeblutë padyshim që mund të largoheshin me ndonjë gol të pësuar nga Italia.

Kështu, sa i përket Lekajt në këtë turne, ai ka spikatur me pritjet e tij, duke mbajtur të paprekur rrjetën kuqeblu gjatë gjithë ndeshjeve të turneut të Siçilias, duke qenë padyshim një nga më të mirët në këto takime për ekipin e trajnerit Gilman Lika.

Me Fabian Lekaj në portë, duket se Vllaznia U-17 ka sigurinë e plotë në mbrojtje të katërkëndorit. Kështu që, padyshim edhe drejtuesit e ekipit të parë duhet t’i hedhin sytë nga ky portier, pasi sipas specialistëve të futbollit portieri Fabian Lekaj premton për të ardhmen.
Maringlen ZHIVANI