Përpos ekipit të parë të basketbollit të meshkujve që kaloi një sezon shumë të vështirë duke shpëtuar vetëm në javën e fundit, edhe ai U18 ka bërë një paraqitje jo shumë të mirë.

U rendit në vendin e tetë në fund të fazës së dytë të kampionatit duke fituar të drejtën për të dalë në play- off, por vetëm kaq. Në çerekfinale, kuqeblutë janë mundur 72-104 nga Goga Basket dhe e kanë mbyllur këtu rrugëtimin e tyre në kampionat.

Por nëse ata nuk vazhdojnë më garën, një ish- pjestar i kësaj skuadre po shkëlqen me ekipin e Kamzës. Bëhet fjalë për basketbollistin Elian Memçaj i cili deri në janar ka qenë pjesë e Vllaznia U18 dhe më pas kaloi tek kjo e fundit, pas insistimit të trajnerit Eni Llazani për ta patur në skuadrën e tij.

Dhe në fakt, shtatëlarti Memçaj që është edhe pjesë e kombëtares U17 të Shqipërisë, ia ka shpërblyer besimin trajnerit. Në çdo ndeshje ai është një nga më të mirët për Kamzën dhe e ndihmoi këtë skuadër të fitonte edhe në çerekfinale ndaj ekipit Superior me rezultatin 92-57 ku basketbollisti shkodran ka shënuar 30 pikë për ekipin e tij duke e ndihmuar për të kaluar në gjysmëfinale.

Aty ku pikërisht nesër do të ndeshen me ekipin e Dinamos dhe padyshim që objektivi do të jetë për të fituar sërish dhe për të dalë në finale. Në këtë mënyrë Memçaj po tregon vlerat e tij më të mira dhe dëshiron të shpallet kampion me ekipin e Kamzës.
© shkodrasport.com