Vllaznia U19 prej më tepër se një muaji e gjysëm është në pritje të finales së Kupës të Shqipërisë, por ende nuk ka asnjë informacion se kur do të luhet kjo ndeshje dhe po ashtu edhe stadiumin në të cilin ajo do të zhvillohet.

19 vjeçarët shkodranë e siguruan këtë të drejtë që më 27 janar kur mundën në gjysmëfinale ekipin e Shënkollit me rezultatin e thellë 4-0 dhe prej atij momenti janë në pritje të datës së finales. Në vitet e tjera zakonisht kjo ndeshje është luajtur në fillim të shkurtit por Sektori i Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit këtë herë ka menduar ndryshe.

Ndoshta ka pritur edhe përmirësimin e kushteve atmosferike sepse e njëjta gjë po ndodh edhe me finalen e Kupës për futbollin e femrave që po ashtu nuk ka ende një datë se kur do të luhet. Pavarësisht se kur do të luhet, Vllaznia U19 do të ketë si objektiv fitoren e këtij trofeu sivjet.

Futbollistët e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani po bëjnë një sezon shumë të mirë dhe përpos faktit që janë në finale të kupës, kryesojnë me meritë edhe renditjen e kampionatit, të shkëputur nga ekipet e tjera. Synimi padyshim që është përgatitja e futbollistëve për ekipin e parë, por nga ana tjetër meqenëse bëhet fjalë për garë, kuptohet që do të synojnë edhe fitoren e të dy trofeve sezonalë.

Fillimisht do të tentojë Kupën e Shqipërisë. Në finale përballë saj do të jetë Tirana dhe natyrisht që futbollistët shkodranë do të synojnë ta fitojnë këtë ndeshje, pavarësisht se kur do të luhet ajo.