Vllaznia U-19 ka humbur ndeshjen e sotme të javës së pestë të kampionatit, atë ndaj Akademisë së Futbollit, të luajtur në “Reshit Rusi” me rezultatin 2-3. Edhe pse futbollistët shkodranë kaluan dy herë në avantazh, nuk kanë arritur ta fitojnë krejt ndeshjen, me Akademinë e Futbollit që përmbysi rezultatin nga 2-1 në 2-3.

Në fakt, Vllaznia U-19 e mbylli mirë pjesën e parë të këtij takimi, duke shënuar me Kodrën në minutën e 40-të dhe në këtë mënyrë, duke u fiksuar në 45-minutëshin e parë rezultati 1-0 në favor të shkodranëve.

Në pjesën e dytë, menjëherë në startin e saj, kundërpërgjigjet Akademia e Futbollit, duke barazuar rezultatin në 1-1. Vllaznia rikthehet në lojë, madje edhe duke dominuar bindshëm në fushë, teksa shënon edhe golin e dytë me Zaganjorin, duke udhëhequr tashmë me rezultatin 2-1 në favor të shkodranëve.

Vllaznia kërkon fitoren e të gjithë ndeshjes dhe vazhdon të sulmojë, por nuk është e këtij mendimi Akademia e Futbollit, që pasi barazon në 2-2, shënon edhe golin e avantazhit, duke i dërguar shifrat në 2-3 dhe duke fituar të gjithë ndeshjen me këtë rezultat.

Tashmë, pas kësaj humbjeje, Vllaznia U-19 mbetet në vendin e katërt në tabelën e renditjes, në kuotën e shtatë pikëve. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia U-19-Akademia e Futbollit 2-3

Golat: Kodra 40’, Zaganjori 55’

Formacioni i Vllaznia U-19: Jukaj, Kapllanaj, Rroku, Nika, Repaj, Zaganjori, Muhaj, Cungu, Kodra, Guri, Halili (u aktivizuan: Hagrepi, Beçina, Zymeri, Matija) Tr: Edmond Doçi