Pasditen e sotme ka përfunduar në plazhin e Kavalishencës, në Durrës, Kampionati i 2-të Kombëtar i Beachvolley, aktivitet që u organizua për dy ditë me radhë nga Federata Shqiptare e Volejbollit. Një aktivitet që tërhoqi vëmendjen e mjaft sportistëve, dashamirësve të këtij sporti dhe pushuesve, që ndoqën nga afër ndeshjet e këtij turneu mjaft tërheqës dhe me rivalitet. Interesant është fakti se shkodranët sërish janë ndër më të spikaturit edhe në këtë kampionat.

Kështu, një prej tyre, pikërisht Klaudio Qeraxhia është shpallur kampion teksa bashkë me Arbër Trokën në dyshe, i kanë mundur të gjithë duke merituar edhe vendin e parë në këtë kampionat. Një tjetër shkodran, Nikolin Qafarena ka zënë vendin e tretë bashkë me Blerim Meminë duke merituar edhe ata premion përkatëse të vënë nga Federata ashtu siç ndodhi edhe me dy vendet e para. Aktiviteti i zhvilluar në Durrës ishte mjaft interesant, teksa përgjatë të dyja ditëve nuk munguan ndeshjet me rivalitet e emocione, me sportistët që dhuruan spektakël. Edhe një herë tjetër, kampionati i volejbollit në plazh tregoi se interesi për të nuk mungon e po ashtu edhe shikuesit. Kampionati i dytë kombëtar i beachvolejt vjen vetëm pak ditë pas organizimit të turneut “Velipoja 2017” që u organizua nga Bashkia Shkodër në plazhin e bukur të Velipojës.

© shkodrasport.com