Vllaznia e viteve ’70-’80 ka qenë ndër ekipet më të mira të Shqipërisë. Ka arritur të fitojë disa trofe, ka dominuar në futbollin shqiptar dhe ka ndodhur kështu ngaqë pjesë e saj kanë qenë një mori lojtarësh cilësorë.

Njëri prej tyre që ka luajtur me këto dy breza lojtarësh, është edhe sulmuesi i atyre viteve- Selman Gruda. Po ndalemi sot tek ky personazh ngaqë ka ditëlindjen, feston 66 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, edhe gazeta “Shkodra Sport” i uron atij edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Selmani ka lindur në Shkodër më 22 tetor 1956 dhe zgjedh të merret me futboll, gjë të cilën do ta bënin më pas edhe katër vëllezërit e tjerë të tij.
Fillon të luajë me ekipet zinxhir të Vllaznisë dhe me të rinjtë ka për trajnerë Esat Rakiqin dhe Rauf Çangën ndërsa në vitin 1975 kalon te ekipi i parë.

Kuptohet që do të ishte e vështirë të gjeje vend për të luajtur në formacion sepse pjesë e ekipit janë emra të shquar si Medin Zhega, Çesk Ndoja, Fatmir Paçrami etj, megjithatë gradualisht fillon të ndjehet i rëndësishëm dhe zë vend si titullar në formacion.

Do të spikaste për lojën e tij në sulm dhe elementi më i rëndësishëm për të është loja në ajër sepse shquhet si një shënues i shumë golave më kokë.

Selman Gruda do të shpallej kampion me Vllazninë në sezonet 1977-78 dhe 1982-83. Po ashtu do të fitonte edhe Kupën e Republikës në sezonet 1978-79 dhe 1980-81. Për këto arritje ai ka marrë edhe titullin “Mjeshtër Sporti”.

Do të luante me ekipin shkodran deri në vitin 1984 duke lënë kësisoj gjurmë në historinë e futbollit shkodran. Një lojtar i përgatitur si fizikisht edhe teknikisht.
Gjergj KOLA