Vllaznia U-19, e drejtuar nga trajneri Vioresin Sinani, ka zhvilluar një kampionat të mirë në Superioren e moshave, teksa ka fituar 14 ndeshje, barazuar 5 dhe humbur 4, duke marrë 28 pikë dhe duke u pozicionuar kështu vendin e tretë të renditjes për Grupin A. Shkodranët do të luajnë sot një ndeshje mjaft të vështirë ndaj Shënkollit. Një skuadër kjo që i ka mundur dy herë këtë sezon dhe prandaj eshte mundesia me e mire sot per “te marre hak”.
Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri Sinani, në një intervistë për “Shkodra Sport” shprehet i kënaqur nga ecuria e deritanishme, por ndërkohë thotë se skuadra ka nevojë të punojë edhe më shumë për të arritur te titulli kampion në fund.
Ndeshjen ndaj Shënkollit e konsideron të vështirë, teksa u shpreh se është një ekip që ka spikatur vitet e fundit, por theksoi se është i bindur se do ta fitojë ndeshjen.
“Jam i kënaqur nga ecuria e ekipit U19 deri në këto momente, pasi jemi në luftë për vendin e parë. Kemi shumë ndeshje të vështira përpara, por kam besim te forca e djemve që deri në fund, do të arrijmë objektivat, që i kemi vendosur vetes.
Patjetër që, e shoh luftën për vendet e para, me një rivalitet të fortë, por patjetër që besoj te titulli kampion deri në fund. Do të bëjmë më të mirën, por jo çdo gjë është e lehtë. Megjithatë, ne kemi besim bashkë me djemtë e ekipit, që deri në fund do të bëjmë çmosin për titull kampion. Të shohim pastaj rrugës, skuadra do ta tregojë.
Mendoj se kontigjenti i ekipit U-19 ka disa lojtarë që premtojnë për të ardhmen. Jam i bindur që dy-tre lojtarë ose ndoshta edhe ndonjë më shumë, do i shohim shumë shpejt në ekipet e Superiores. Konkretisht, besoj shumë që do i shohim te Vllaznia, por jam i bindur se ata do të jenë lojtarë mjaft të mirë dhe të dëgjuar në vitet në vazhdim, pasi kanë aftësi mjaft të mira.
Lojtarët që kanë spikatur këtë sezon? Unë besoj se gjithë lojtarët që janë aktivizuar, kanë bërë më të mirën e mundshme. Nuk dua të përmend emra, pasi të gjithë kontribuojnë, të gjithë derdhin djersë, të gjithë bëjnë mund. Unë jam i kënaqur prej të gjithëve. Jo të gjithë normal, bëhen futbollista të famshëm në fund, por jam i bindur që ata kanë bërë maksimumin, duke nisur nga gjithsecili, që është aktivizuar në këto momente.
Kemi një ndeshje të vështirë ndaj Shënkollit, është e vërtetë. Ata kanë një ekip të fortë, ka një ekip që ka spikatur vitet e fundit. Eshtë një akademi që ka pasur mjaft sukses, por jam i bindur se çunat do të bëjnë një ndeshje mjaft të mirë dhe besoj që do ta fitojmë ndeshjen. Megjithatë, gjithmonë është një ndeshje e vështirë dhe ndeshjet fitohen në fushë dhe jo me fjalë. Unë jam i bindur se çunat do të bëjnë më të mirën për fitoren.
Unë besoj që bashkëpunimi me pjesëtarët e stafit teknik të skuadrës së parë, ka qenë mjaft i mirë. Kemi pasur një komunikim mjaft korrekt me ta. Disa lojtarë të ekipit tonë U-19, janë stërvitur dhe stërviten rregullisht me ekipin e të rriturve dhe zhvillojnë ndeshjet me ekipin e U-19. Pra, dua të them që ata janë gjithmonë nën vëzhgimin e stafit të ekipit të parë, me në krye trajnerin Elvis Plori. Jam i bindur që shumë shpejt, ndoshta qysh vitin tjetër, dy-tre lojtarë siç e thashë do të jenë pjesë e ekipit të parë dhe mund të ecin lart”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznia U-19, Vioresin Sinani.
Maringlen ZHIVANI