Murlani është një ekip i ri, i mirëorganizuar në staf, infrastrukturë dhe me futbollistë cilësorë, i cili ka ambicie për të rritur pak nga pak shkallët e konkurrimit. Ata do të luajnë ditën e sotme ndeshjen ndaj Ilirisë dhe kërkohet një rezultat pozitiv.

Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri i Murlanit, Altin Xhahysa, në një intervistë për “Shkodra Sport”, u shpreh se kërkohet me patjetër rezultati pozitiv, ndërsa theksoi se është një ndeshje e rëndësishme për ta, për të bërë më të mirën e tyre, në mënyrë që të vazhdohet drejt rrugës së play-offit.

Sipas Xhahysës, ky ekip po rritet, teksa u shpreh se është bërë një punë e mirë edhe nga ana e presidentit Rraboshta, që ekipit të mos i mungojë asgjë.

“Të them të drejtën, është ndeshje e rëndësishme për ne ndeshja ndaj Ilirisë, por shpresojmë të bëjmë më të mirën tonë, që të vazhdojmë rrugën drejt play-offit.

Te Murlani është bërë një punë e mirë nga ana e presidentit Rraboshta, që ekipit të mos i mungojë asgjë. Sa për krahasimin me vitet e kaluara, është shpejt të flasësh për të vetmen arsye, sepse është klub i ri. Nuk ka as dy vjet që është formuar.

Të them të drejtën, unë si trajner, jam shumë i kënaqur me ecurinë e ekipit, duke e ditur se jemi në hapat e para si klub dhe objektivat janë të paparashikuara. Megjithatë, dua të falënderoj të gjithë djemtë dhe presidencën, me në krye presidentin Rraboshta për këto rezultate.

Për sa i përket harmonisë në ekip, është e drejtë që ekipi ka harmoni. Të them të drejtën, jemi si një familje, ku çdo gjë, e keqja dhe e mira është e përbashkët. Jam shumë kërkues te kjo pjesë, sepse është baza e një ekipi harmonia dhe humori në ekip.

Normalisht, më vjen keq nga ana ime profesionale, nëse nuk përmbushim synimet tona që kemi, por e thashë edhe më lart, që ekipi ka punuar shumë mirë dhe e kam thënë edhe në një intervistë tjetër, që këto pikë që ka ekipi, janë vetëm me djersë dhe mund i lojtarëve. E them këtë nga që jemi penalizuar shumë ndeshje nga arbitrimi.

Për sa i përket vitit tjetër, normalisht që kemi vëzhguar disa lojtarë dhe shpresojmë që ta mbyllim me sukses këtë vit, pastaj duhet të mendojmë dhe të vazhdojmë për vitin e ardhshëm.

Megjithatë, kryesorja është që po punojmë me elementin e ri, ku aty shpresojmë që të fokusohemi, që t’i kemi sa më gjatë në ekip dhe jam dhe do të jem për elementin e ri, që t’i jepet dora, që mos të na ikin nëpër ekipet e tjera”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Murlanit, Altin Xhahysa.
Maringlen ZHIVANI