Tifozët e Vllaznisë premtojnë të jenë sërish në shkallët e stadiumit për ndeshjen ndaj Partizanit, përkrah skuadrës së tyre të zemrës dhe jo vetëm në stadiumin “Loro Boriçi”, por në të gjitha stadiumet e Shqipërisë, ku ajo do të luajë.

Njëri prej tyre është edhe Astrit Karakaçi. Tifozi i zjarrtë kuqeblu ka dhënë një intervistë për gazetën “Shkodra Sport”, ku ka folur për pritshmëritë e tij për skuadrën në këtë sezon, kampionatin dhe shumë gjëra të tjera. Ai shpreson shumë që Vllaznia të marrë një fitore në ndeshjen e sotshme ndaj Partizanit.

“Duke u nisur nga rezultatet që arritëm vitin e kaluar, që ishim surpriza e kampionatit, pritshmëria normalisht ishte më e madhe. A u realizua? Pjesërisht po. Në dy fazat e para, ishim më mirë, por pati oshilacione.

Sivjet, klubi tentoi të marrë lojtarë më cilësorë dhe deri diku ia arriti, por rezultatet dhe loja e vitit të kaluar, për mendimin tim, nuk u arrit. Shiko, merkatot ndonjëherë edhe nuk shkojnë ashtu siç duhet, jo vetëm për faj të klubit apo të lojtarëve që afrohen, sepse ka dëmtime apo nuk arrijnë të ambientohen me grupin, por lojtarë më cilësorë kanë ardhur vjet, të paktën në letër.

Mendoj se perspektiva është më e mirë, pasi ka kaluar në dorën e privatit. Bashkia tregoi vetëm dështim, përjashto vitin e fundit. Të mos harrojmë se për 10 vjet, kemi notuar nga fundi i tabelës. Unë dua ta shoh të ardhmen me optimizëm, por edhe pak durim.

Me Partizanin besoj shumë se do të fitojmë dhe do e parakalojmë Partizanin në renditje. Një fitore e mundshme ndaj Partizanit, hap seriozisht rrugën për vendet e Europës nga kampionati. Atëherë, sigurisht që, pjesëmarrja në kompeticionet europiane, është shtysë e madhe në rradhë të parë për ekipin dhe klubin. Jo vetëm nga ana financiare, por të bën të përballesh me nivele më të larta të futbollit dhe për rrjedhojë të kësaj, rritet edhe interesimi i tifozëve dhe prania e tyre në stadium.

Unë dua të shoh më parë anën pozitive. Ekipi ka më kualitet në fushë, ka bërë ndeshje shumë të bukura, si ajo me Tiranën në “Air Albania”, por ka pasur edhe shumë oshilacione në disa ndeshje, gjë që nuk ka lënë shije të mirë te tifozët, e cila pasqyrohet edhe te prania e tyre në stadium. Kjo mënyrë e funksionimit nuk tregon shumë profesionalizëm.

Temë shumë e diskutuar ndërrimi i trajnerit në ambientet e tifozëve dhe jo vetëm. Unë kam mendimin se në pjesën më të madhe të punës në Shkodër, Brdariç bëri jo mirë, por shumë mirë. Kuptohet edhe mund të ketë gabuar ndonjëherë. Të mos harrojmë që, krijoi një ekip shumë solid me lojtarë të nivelit mesatar dhe më pak se mesatar. Arriti të krijojë një grup që luante bukur futboll, por edhe fitonte. Këtë vit e filloi mirë, por nuk pati shkëlqimin e vjetshëm. Ndoshta është e vështirë për të drejtuar “gjenerala”. Për mendimin tim, Brdariç është profesionist i mirë dhe largimi i tij, më është dukur veprim i nxituar i klubit.

Sa i përket Plorit, është i njohur në Shkodër. CV e tij si trajner, është modeste në Superiore. Më shumë, ka puunuar në Kategorinë e Parë, por është njeri që punon me pasion, por nuk e di a mjafton vetëm kjo. Duhet marrë parasysh që autoriteti i Brdariç, i bën pak “hije”. Unë i uroj suksese, por emri Vllazni e ka peshën e rëndë dhe nuk e di sa e ka të mundur ta mbajnë shpatullat e Plorit”,-mbylli prononcimin e tij, tifozi i njohur i Vllaznisë, Astrit Karakaçi.
Maringlen ZHIVANI