Ada do të luajë ditën e sotme ndeshjen e javës së 21-të të Kategorisë së Parë kundër Luzit në transfertë. Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri i Adës, Arbër Shytani, në një intervistë për “Shkodra Sport” ka folur për këtë takim, teksa u shpreh se është një nga transfertat më të vështira.

Shytani theksoi se velipojakët kanë bërë më të mirën e mundshme, sidomos në fazën e dytë, teksa më pas shtoi se qëllimi është që të ngrihen sa më shumë me pikë në ndeshjet e mbetura.

Trajneri Shytani iu përgjigj edhe pyetjes për të ardhmen e Adës, duke thënë se do jetë një ekip me më pak vështirësi, duke pasur parasysh, që tashmë ka një bazë të mirë ku mund të mbështetet.

“Padyshim që, ndeshja ndaj Luzit është një nga transfertat më të vështira, pasi do luajmë në fushën e ekipit kryesues dhe po të kemi parasysh se janë javët e fundit, për çdo ekip këto pikë janë jetike, por ne do bëjmë maksimumin për të dalë me rezultat pozitiv.

Të them të drejtën, jam i kënaqur me fazën e dytë, pasi kemi zhvilluar një fazë të dytë pozitive, ku i jemi rikthyer traditës së mirë të ekipit të Adës, ku ndeshjet në fushën tonë, të jemi të pathyeshëm, por duke bërë mirë edhe në transferta, ku kemi pasur disa rezultate pozitive në fazën e dytë.

Të gjithë bashkë, mendoj se kemi bërë një punë të mirë për ta përmirësuar këtë grup sportistësh, ku mendoj se edhe në qoftë se do jemi në play-out nuk kam asnjë dyshim. Mendoj se ekipi do ia dalë mjaft mirë.

Pa asnjë dyshim që, afrimet që bëmë në merkaton e dimrit, kanë rezultuar afrime shumë pozitive, por nuk mohohet fakti që edhe grupi që mbylli fazën e parë, është rritur duke krijuar një grup solid.

Për momentin, jemi të përqëndruar maksimalisht te ndeshjet e mbetura, për ta mbyllur ashtu siç duhet, pastaj do kemi gjithë kohën e nevojshme për të menduar për sezonin e ardhshëm, ku në parim mendoj se do jetë një ekip me më pak vështirësi, po të kemi parasysh që tashmë ka një bazë të mirë, ku mund të mbështetet”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Adës, Arbër Shytani.
Maringlen ZHIVANI