Vllaznia U21 është shumë pranë titullit kampion të këtij sezoni. Ky ekip ka fituar me rezultatin e pastër 3-0 ndeshjen e parë finale të kampionatit, atë ndaj Erzenit.

Ndërkohë, ndeshja e kthimit do të luhet ditën e sotme në Shijak. Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri i Vllaznia U21, Endri Jukni, ka folur në një intervistë për “Shkodra Sport”, teksa u shpreh se ndeshja e sotme është një ndeshje e vështirë, por theksoi se ekipi është përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe ata shkojnë për të fituar.

“Ndeshja ndaj Erzenit është një ndeshje e vështirë, ashtu si çdo finale, por ekipi është përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe ne shkojmë për ta fituar.

Gjendja e skuadrës është shumë e mirë, si në aspektin fizik dhe atë moral, që është shumë i rëndësishëm. Ekipi po tregon rritje nga ndeshja në ndeshje.

Deri tani, ka qenë një sezon i shkëlqyer. Kemi mbyllur kampionatin në vendin e parë dhe kemi fituar Kupën e Shqipërisë, por objektivi kryesor është kampionati.

Këta volejbollistë e kanë fituar besimin vetëm me stërvitje dhe përkushtim. Për këtë i falënderoj të gjithë dhe shpresoj që në ndeshjen ndaj Erzenit të kurorëzohemi kampion.

Këta volejbollistë premtojnë shumë si për ekipin e të rinjve, ashtu edhe për ekipin e të rriturve. Tashmë, një pjesë janë me të rriturit, por shumë shpejt, do të ketë edhe lojtarë të tjerë, që do i bashkohen këtij ekipi”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznia U21, Endri Jukni.
Maringlen ZHIVANI