Tirana-Vllaznia, është ndeshja e rradhës, që ekipi U19 kuqeblu do të ketë në këtë javë. Një klasike e futbollit shqiptar, që edhe pse në këtë rast vjen në një ndeshje të 19-vjeçarëve, sërish merr rëndësi të veçantë në opinionin sportiv, dhe kryesisht në të dy kampet respektive.
Për Vllazninë, kjo ndeshje do të jetë përcaktuese për vazhdimësinë e saj në kampionat. Deri më tani, për hir të së vërtetës, është paraqitur një Vllazni e bukur, e cila e drejtuar nga trajneri Vioresin Sinani, ka dominuar pothuajse të gjitha ndeshjet, që ka luajtur deri më tani.
Kështu, me të drejtë, të gjithë në Shkodër dhe më gjërë, presin titullin kampion për 19-vjeçarët këtë sezon. Megjithatë, jo vetëm kaq, teksa ndeshja e sotme do të luhet përballë një kundërshtari dhe rivali direkt në pretendimet për trofe, pasi, si Tirana, ashtu edhe Vllaznia, kanë të njëjtat objektiva për këtë sezon futbollistik.
Në pritje të kësaj ndeshje, Vllaznia U19, e drejtuar nga trajneri Sinani dhe kolegu i tij Meçarovi, kanë mbyllur sot përgatitjet intensive në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës.
Kuqeblutë pritet ta nisin sfidën në fjalë me formacionin më të mirë me synim marrjen e fitores, pasi në rast të marrjes së një trepikëshi nesër ndaj Tiranës, për kuqeblutë do të thotë shkëputje me një diferencë prej 9 pikësh, kundrejt një rivali direkt, siç është Tirana.
Vllaznia U19 kryeson renditjen me 38 pikë, teksa e ndjek Partizani me tre pikë më pak. Ndeshja Tirana-Vllaznia, e vlefshme për javën e 18-të, do të luhet sot, duke nisur nga ora 12:00, në kryeqytet.
Maringlen ZHIVANI