Rikthehet tek fitorja Vllaznia U19, madje këtë herë me një fitore shumë të thellë, 8-0 ndaj ekipit të Shënkollit. Ka ndodhur kështu në ndeshjen e mesditës së sotme të luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”, aty ku djemtë e trajnerit Luan Zmijani, u duk se po luanin ndaj vetes sepse kundërshtari nuk mund t’i rezistonte dot.

Kuqeblutë kanë shënuar tetë gola dhe mund të kishin shënuar edhe të tjerë. Në minutën e 16-të ka qenë futbollisti mik Perdedaj që ka zhbllokuar rezultatin duk e dërguar topin në portën e tij duke shënuar autogol. Në minutën e 35-të do të ishte sulmuesi Lisaj që do të shënonte golin e dytë ndërsa në të 45-tën Qardaku do të shënonte golin e tretë.

Në pjesën e dytë ndërkohë golat nuk do rreshtin. Qardaku përsëri në ’55 do të shënonte golin e katërt, të dytin personal ndërkohë që tre minuta më vonë do të ishte rradha e mesfushorit Hoxha të shkruante edhe ai emrin si shënues tek goli i pestë.

Nuk mund të mungonte në këtë mori golash që të linte firmën e tij edhe golashënuesi më i mirë i ekipit Ndreca që do të shënonte të gjashtin. Sakaq Qardaku do të shënonte përsëri, për të tretën herë në ’79 dhe për të mbyllur ndeshjen do të mendonte Mehja në ’81.

Përfundimisht 8-0 për Vllaznia U19 që vazhdon të ndajë vendin e parë dhe të dytë me Shkëndinë me nga 31 pikë, por kjo e fundit ka një ndeshje më pak të luajtur.
© shkodrasport.com