Rëndësia e takimit të kësaj jave ndaj Laçit duket e madhe ngaqë një fitore për Vllazninë do të thoshte shumë në ecurinë e saj të mëtejshme në kampionat. Kurbinasit, vërtetë ndodhen në vendin e parafundit në renditje por ata ndaj ekipit shkodran këtë sezon kanë treguar se janë të pathyeshëm. Pyetja që lind është ajo nëse do të thyhen këtë herë? Kjo mbetet për t’u parë. Drejtuesit e Vllaznisë i kanë kushtuar një vëmendje maksimale këtij takimi të cilin duan ta fitojnë patjetër. Për këtë arsye, ata kanë bërë edhe një ulje të çmimit të biletave për disa nga tribunat e stadiumit “Loro Boriçi”. Këtë e kanë bërë të ditur përmes një njoftimi të rëndësishëm të publikuar në faqen zyrtare të klubit ku thuhet: “KF Vllaznia njofton të gjithë sportdashësit se pas akordit të gjetur me drejtuesit e FSHF-së, është bërë e mundur që për ndeshjen e kësaj jave me Laçin, të ketë një ulje të çmimit të biletave për tribunat C dhe D të stadiumit “Loro Boriçi”. Çmimi i biletës për këto tribuna tashmë do të jetë 200 lekë të reja. KF Vllaznia në këtë mënyrë bën realitet plotësimin e një prej kërkesave të tifozëve të saj për një ulje të çmimit të biletave dhe ajo që presim tashmë është rritja e numrit të tyre që do të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” për mbështetjen e ekipit të Vllaznisë në një ndeshje shumë të rëndësishme siç është ajo me Laçin që do të luhet ditën e dielë në orën 14.00.Prandaj, eja edhe ti dhe të gjithë sëbashku të thërrasim: Forca Vllaznia”! Nisur nga kjo çfarë thuhet, duket se ulja është e ndjeshme. Kjo sepse çmimet e biletave në tribunat C dhe D deri më tani kanë qenë 300 dhe 400 lekë ndërsa tashmë do jenë 200 lekë. Drejtuesit kuqeblu mund të kenë tentuar hyrjen e lirë të tifozëve në këto tribuna por siç dihet, stadiumi menaxhohet nga FSHF dhe mirëmbajtja e tij ka kosto financiare, prandaj dhe nuk mund të ketë hyrje falas të tifozëve.