Zhurma e krijuar javën e kaluar tek Vllaznia duket se është lënë tashmë pas megjithatë ende ka një problem që mbetet për t’u zgjidhur. Trajneri Agim Canaj pritej që të bashkohej me ekipin në stërvitje pasditen e së hënës pas kthimit nga Anglia, por kjo nuk ka ndodhur.

Madje, ai nuk ka qenë i pranishëm as në stërvitjen e së martës dhe kjo i shton edhe më shumë dyshimet për një rikthim të mundshëm të këtij trajneri në krye të ekipit. Megjithatë burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se trajneri ende nuk është kthyer nga Anglia dhe kjo pritet të ndodhë nga momenti në moment.

Stervitja nderkohe vazhdon te drejtohet nga zevendestrajneri Osja dhe trajneri i portiereve Lekiqi. Gjithsesi situata pret një zgjidhje konkrete nëse Canaj do të vijojë punën në krye të ekipit apo jo. Aktualisht janë për t’u luajtur edhe pesë javë kampionat dhe skuadra ende nuk e ka arritur objektivin e saj për t’u ngjitur në Superligë.

Problemet e krijuara tek Vllaznia ditët e fundit shoqëruar me presione e kërcënime ndaj stafit teknik, krijuan një situatë aspak të këndshme e cila u premtua se do të zgjidhej shumë shpejt, megjithatë kanë kaluar disa ditë dhe ende nuk ka gjë konkrete. Ndërkohë ndeshjen e rradhës, ekipi shkodran do ta luajë ditën e dielë në orën 15.00 ndaj Erzenit.