Pas seancës së djeshme që ishte e para për kuqeblutë në përgatitjet për sezonin e ri, sot pasdite në orën 19.00 ata do të zhvillojnë seancën e dytë. Sërish në “Reshit Rusi” dhe me shumë mundësi do të jenë të njëjtët futbollistë në fushë. Trajneri Cungu ndërkohë pritet t’i lërë pushim nesër lojtarët për t’iu rikthyer përsëri stërvitjeve të hënën pasdite, normalisht me rritje të tempit.

Ndërkohë ende nuk është përcaktuar nëse do të ketë fazë përgatitore jashtë vendit dhe se ku do të zhvillohet. Për drejtuesit e klubit më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër në këtë periudhë ka padiskutim gjetja e 3-4 lojtarëve cilësorë që do ta plotësonin skuadrën në pikat ku ajo ka nevojë më shumë.Emrat nuk bëhen të ditur por ndërkohë trajneri ka bërë të ditur se merkatoja do të jetë kryesisht e fokusuar tek lojtarë të kampionatit shqiptar dhe se nuk ka ndër mend të hapë “audicionin” e provave për futbollistët e huaj.

© shkodrasport.com