Dita e sotme është e veçantë për volejbollistin e Vllaznisë Renato Kola. Ai feston 30 vjetorin e lindjes. Një përvjetor që vjen në momentet më të bukura të karrierës së tij. Dy muaj më parë është shpallur kampion i Shqipërisë me ekipin e tij, titull ky që ishte i pari për Vllazninë në historinë e saj dhe për rrjedhojë mori përmasa të mëdha.

Ndërkohë para disa ditësh ka qenë pjesë e kombëtares shqiptare në ndeshjet eliminatore të Ligës së Europës ku ka bërë paraqitje të shkëlqyera. Duke luajtur në pozicionin e tij të preferuar, atë të “liberos”- lojtarit të lirë, Kola ka qenë një nga më të mirët jo vetëm të kombëtares tonë por të të gjithë ekipeve pjesmarrëse. Bëhet fjalë për lojën në mbrojtje dhe pritjen e topit të parë, çka është edhe detyra kryesore për pozicionin ku ai luan. Federata Europiane e Volejbollit dy ditë më parë evidentoi dy volejbollistë shqiptarë si ndër më të mirët si pikëshënues, pikërisht Gazmend Husajn tek meshkujt dhe Erblira Bicin tek femrat. Por volejbolli nuk ka si pikë të fortë vetëm sulmin. Në shumë ndeshje fatin e vendos loja në mbrojtje dhe “liberot” marrin rëndësinë e duhur. Kështu, në statistikat e CEV (Federatës Europiane të Volejbollit), sa i takon topave të marrë (të pritur) Renato Kola është në vendin e katërt ndër gjithë sportistët. Një pozicionim që do të ishte ndoshta edhe më i mirë nëse nuk do kishte munguar në një takim si pasojë e një dëmtimi që pati dhe ka luajtur 19 sete, më pak sesa tre të parët që janë sipër tij në renditje. Por statistikat e tij janë “të frikshme” edhe sa i takon ndeshjeve të veçantë. Kështu në ndeshjen Shqipëri- Maqedoni 2-3, është shpallur “top best reicever” i krejt ndeshjes me 43 % perfekt reception (pritje e topit të parë ekselente). Po ashtu edhe në ndeshjen Suedi- Shqipëri 2-3 ka një pritje të topit të parë 70 % shumë mirë dhe 52 % ekselent. Këto padyshim që janë tregues të cilët vërtetojnë më së miri paraqitjet shumë të mira që ky sportist ka bërë në këto ndeshje të Ligës së Europës. Përvoja e madhe e fituar gjatë gjithë këtyre viteve po reflektohet me të tilla ndeshje shumë të mira teksa është titullar i padiskutueshëm jo vetëm i Vllaznisë por edhe i kombëtares shqiptare.
© shkodrasport.com