Edhe ndaj Ilirisë të hënën, Vllaznia do të ketë të njëjtën objektiv, fitoren. Kuqeblutë duken të motivuar për ta kaluar me sukses edhe këtë ndeshje, e cila mund të konsiderohet më e vështira ndoshta e fazës së parë të kampionatit.

Kundërshtari ka treguar se në ndeshjet që luan në Fushë- Krujë është shumë i rrezikshëm dhe prandaj ky takim është vlerësuar maksimalisht pavarësisht se ai do të luhet pa praninë e tifozëve për shkak të dënimit të fushës vendase.

Trajneri Lika tashmë e ka të qartë edhe mënyrën me të cilën do të mundohet ta kalojë me sukses këtë kundërshtar.

Në analizë e zhvilluar me ekipin, e cila ka konsistuar edhe me vëzhgimin përmes pamjeve filmike të tij, janë mësuar pikat e forta por edhe të dobëta të Ilirisë dhe me to do të synojë të përfitojë.

Stafi teknik po ashtu e ka përzgjedhur tashmë edhe formacionin me të cilin do ta nisë ndeshjen të hënën. Në të nuk do të ketë asnjë ndryshim me përjashtim të rikthimit pas skualifikimit të Krymit në formacion dhe uljen në stol të Bilalit.

Të tjerët do të jenë të njëjtët si ndaj Vorës, duke filluar nga portieri Sherri, për të vazhduar me Gocaj, Ignat, Zeqaj e Gurishta në mbrojtje.

Në mesfushë ndërkohë do jenë Krymi e Tafili në qendër, Lika e Hajdari në krahë ndërsa në sulm braziliani Zhunior i mbështetur nga Zogaj. Me këtë 11-she Vllaznia do të synojë fitoren e tetë në kampionat dhe ruajtjen e diferencës me ndjekësit.

www.shkodrasport.com