Nga Maringlen ZHIVANI
Në prag të ndërrimit të viteve, tifogrupi i Vllaznisë “Vllaznit Ultras” ka ndërmarrë një gjest solidarizues për fëmijët që po kalojnë festat në Spitalin e Pediatrisë në Shkodër.
Anëtarët e tifogrupit iu bashkuan një nisme sociale të organizuar nga të rinj e të reja të qytetit, si dhe nga “EKO Mendje”, me synimin për të dhuruar pak gëzim dhe shpresë për më të vegjlit.
Në mesazhin e tyre urues, “Vllaznit Ultras” shprehen se kontributi i lëvizjes Ultra për qytetin shtrihet në shumë drejtime dhe se dashuria për Shkodrën dhe traditën i bashkon në çdo nismë njerëzore.
“Duke ju uruar një vit sa më të mbarë të gjithë anëtarëve, rivalëve dhe mbarë shqiptarëve kudo që ndodhen, 2026-ta do të na gjejë me më shumë projekte kulturore dhe sensibilizuese, gjithmonë pranë qytetit tonë,” shprehen ata.
Tifogrupi mbyll urimin me thirrjen e njohur:
“Nji jetë, dy ngjyra!”


