Kampionati kombëtar i volejbollit do të luajë ditën e sotme ndeshjet e javës së gjashtë për femra dhe për meshkuj. Kështu, Vllaznia me të dy ekipet, si për femra, ashtu edhe për meshkuj, do të luajë në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit ndaj Teutës.

Fillimisht, të parat që do të zbresin në parket, do të jenë vajzat shkodrane. Synimi i vetëm i tyre do të jetë fitorja e kësaj përballjeje ndaj Teutës, në mënyrë që Vllaznia në volejboll për femra të vijojë rrugën drejt objektivave të saj.

Për momentin pas javës së pestë, kjo skuadër mban vendin e gjashtë me gjashtë pikë, duke lënë pas Teutën me zero pikë, pikërisht kundërshtaren që do të ndeshet ditën e sotme. Sfida Teuta-Vllaznia do të startojë në orën 16:00 dhe padyshim që, pritet një tjetër fitore e ekipit të vajzave shkodrane, pasi bëhet fjalë për një përballje të lehtë në letër.

Ndërkohë, menjëherë pas kësaj ndeshjeje, parketi i pallatit të sportit “Ramazan Njala” do të jetë në dispozicion të volejbollit të meshkujve, duke pritur çiftin Teuta-Vllaznia, takim ky i planifikuar për të filluar në orën 18:00. Skuadra shkodrane, që drejtohet nga trajneri Artan Kalaja, do të synojë të tregojë vlerat e saj më të mira në fushën e lojës, në mënyrë që në fund të krejt ndeshjes, të dalë nga kjo përballje me fitore.

Momentalisht, skuadra e Vllaznisë në volejboll për meshkuj renditet në vendin e pestë me gjashtë pikë, ndërsa kundërshtari i sotshëm, Teuta mban vendin e parafundit në renditje me vetëm dy pikë. Përballja e volejbollit të meshkujve Teuta-Vllaznia do të startojë nga ora 18:00 dhe do të luhet në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës.
Maringlen ZHIVANI