Vllaznia në volejboll për meshkuj është rikthyer tek fitorja në ndeshjen e rradhës për kampionat. Pasditen e sotme ajo ka triumfuar në Tiranë ndaj ekipit të Studentit në një ndeshje që ka dhuruar shumë emocione.
Seti i parë i këtij takimi është fituar nga shkodranët 25-21, por Studenti reagon në të dytin duke e fituar atë 25-22 dhe duke barazuar numrin e tyre në 1-1. Djemtë e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja u shfaqën të vendosur për ta fituar këtë ndeshje dhe si rrjedhojë triumfuan në setin e tretë me shifrat 25-17.
Kjo krijoi idenë se do ta fitonin edhe setin e katërt por nuk do të ndodhte kështu sepse vendasit e fitojnë atë sërish 25-22 duke e çuar ndeshjen në set final. Ky i fundit ka patur rivalitet, por në fund kuqeblutë kanë fituar 15-12 duke marrë edhe krejt ndeshjen me shifrat 3-2.
Me këtë fitore, Vllaznia me 17 pikë të grumbulluara ndodhet për momentin në vendin e dytë të renditjes, por Tirana e vendit të tretë ka 14 pikë dhe dy ndeshje më pak të luajtura.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


