Xavi Hernández, ish-mesfushori legjendar dhe trajner i Barcelonës nga nëntori 2021 deri në maj 2024, ka reflektuar mbi periudhën e tij si teknik, gjatë një konference për lidership në Universitetin ESIC.

“Gabimi im ishte që mbajta standarde të larta vetëm për një vit, që nga momenti i ardhjes deri te fitimi i La Liga-s dhe Superkupës. Më vonë u bëra autokritik dhe thashë me vete: Mallkuar qoftë, çfarë më ndodhi mua”, – u shpreh Xavi.

Trajneri 45-vjeçar kujtoi se e nisi punën me kërkesa të larta, pas një periudhe pa disiplinë në klub. Por pas trofeve të parë, standardet ranë, me to edhe përkushtimi i lojtarëve: “Në sezonin e fundit nuk fituam asgjë, sepse mungoi qëndrueshmëria dhe respekti”.

Xavi theksoi se është krenar për Yamal, të cilit i dha debutimin me Barcelonën qysh 15 vjeç: “E pashë gati për ekipin e parë”. Ai shtoi se dëshiron ta vazhdojë karrierën si trajner, duke theksuar: “Te Barcelona mësova shumë dhe u bëra më autokritik”.