Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka folur për ndeshjen e radhës me Teutën. Ai vlerësoi kundërshtarin, ndërkohë që theksoi se skuadrën e tij e dëmton jo pak ndërrimi i stadiumeve:

“Siç e kemi thënë, ne hyjmë për fitore në çdo ndeshje. Sa i përket Teutës, kam shprehur superlativa. Ka bërë ndryshime cilësore dhe prandaj ka rezultate të mira. Nuk ka ekip të lehtë. Duhet djersitur dhe të jesh serioz per të marrë fitore, prandaj nuk do të jetë e lehtë për ne.

Na prish punë ndërrimi i stadiumeve. Kur muk ke stadium, është mungesë jo e vogël. U konfirmua që do të luajmë në Tiranë dhe kërkoj mbështetje nga tifozët, pasi dy javët e fundit kanë qenë më të shumtë.

Nuk është e lehtë të fitosh në Superligë. Ekipet po ndërrojnë vendet si kreu ashtu dhe pjesa tjetër. Mund të marrësh pikë kundër çdo ekipi por edhe lë pikë ndaj çdo ekipi. Mundësitë i kemi reale për të dalë faqebardhë.

Fusha? Pas një ndeshje me Torpedon, që luajtëm mirë, pa u mbushur dy ditë, luajtëm me Laçin. Askush nuk u mendua ta shtynte edhe pak, por ne kemi për detyrë të luajmë.

Rexhinaldo? Ai do të jetë me ekipin. Nuk e quaj gabim, pasi i ka ndodhur çdo lojtari. Ai i ka goditur sistematikisht dhe ka qenë pozitiv. Humbi një mundësi, por nuk duhet bërë tragjike. Janë momente.

Jemi herët për të folur, pasi ekipi është i ri. Vetëm shameti është nga sezoni i kaluar. Duan kohën e vet, sepse janë të rinj që premtojnë, por edhe mungesa e stadiumit na pengon. Më vjen keq, sepse nuk merrem me gjykimin, por humbim qetësinë.

Unë dua të jap maksimumin ne fushë dhe janë kryesia e klubit ata që merren me gjykimin. Ne shohim vetëm para. Çdo ndeshje janë të detyrueshme 3 pikë.

Dy ndeshjet e fundit nuk ishin ato që kërkonim për pikët, por ka kampionat shumë. Do të gabojnë edhe rivalët dhe duhet të jemi më seriozë për t’iu afruar kreut. Ngërçi i Kukësit? E thashë që ekipi është i ri. Kur erdha në fillim kishim ngërç loje. Kukësi prodhon lojë dhe raste, por nuk shënon.

Janë shumë faktorë që ndikojnë. Duhet koha e vet për të dalë kampion, si për shembull Skënderbeu, që ka luajtur 5-6 vjet bashkë. Duhet më shumë personalitet dhe përgjegjësi. Futbolli nuk është basketboll, pasi të jepen 1-2 raste dhe duhet të jesh pragmatist.

Largimet dhe dëmtimet? Me shumë qetësi dhe respekt për të gjithë, nuk kanë qenë “double”, por kanë qenë shterpë. Krahu ka qenë super, por jo më tepër. Nuk dua të kujtoj apo të gjej justifikime që ishte kjo apo ajo. Duhet të dalim nga kjo situatë dhe të ngrihemi në klasifikim.”/vipsport/