Vllaznia do të bëjë ankesë zyrtare në UEFA ndaj gjyqtarit të takimit të zhvilluar të enjten në Bosnjë dhe Hercegovinë, rusit Aleksei Matjunin. Shkodranët janë në unison dhe, sipas tyre, arbitri ndikoi direkt në rezultatin e takimit.

Kështu që, po bëjnë gati dosjen denoncuese për ta paditur gjyqtarin 39-vjeçar, i cili edhe para dy vitesh i ndëshkoi shkodranët me ekipin U-19 në transfertë ndaj Astana-U-19, ku nxori me karton të kuq lojtarin Ermir Leka, në minutën 86, thuajse identik me të kuqin e Ardit Krymit që u skuq në minutën e 89-të.

Dy 11-metërsha të dyshimtë dhe një “lumë” kartonësh të verdhë e dy të kuq ishin treguesi i “masakrës” së bërë nga ana e këtij gjyqtari ndaj Vllaznisë.

Në lidhje me këtë situatë, sponsori i Klubit të Futbollit Vllaznia sh.a, Alban Xhaferi, personi që po merret me gjithë menaxhimin e skuadrës shkodrane, në një prononcim të shkurtër për “Panorama Sport”, pohoi se Vllaznia nuk do ta lërë të kalojë lehtë masakrën e bërë nga ana e këtij gjyqtari në dëm të tyre. I pyetur për ndonjë ankesë të mundshme në UEFA, Xhaferi u përgjigj:

“Patjetër që do të reagojmë. Do të bëjmë gati gjithë materialin dhe do të bëjmë ankesën tonë pranë organizmave përkatës në UEFA”.

Ajo që ndodhi në Bosnjë, sipas sponsorit të skuadrës shkodrane, ishte diçka e paprecedentë, e padëgjuar dhe e pashikuar më parë.

“Ajo që ka ndodhur në Shiroki Brijeg ishte një akt i paprecedentë në historinë e futbollit europian dhe një vrasje e lojës nga një arbitër”, deklaroi ai për gazetën, duke lënë që të kuptohej se Vllaznia do të kërkojë të drejtën e saj ndaj atij gjykimi në organet kompetente, pavarësisht se kjo nuk pritet të ndikojë te ndryshimi i shifrave të rezultatit final që prodhoi takimi i 8 korrikut.

Klubi duket se nuk mund ta kalojë lehtë dhimbjen që i ka shkaktuar gjykimi i rusit Matjunin, pasi disa orë më vonë në profilin e tij në rrjetet sociale ka bërë reagimin e radhës ndaj gjyqtarit Aleksei Matjunin.

Ja postimi i Xhaferit: “Shifrat për ‘Guinness’: Vllaznia 12 faulle dhe merr 13 kartonë të verdhë. Shiroki Brijeg 10 faulle dhe vetëm 4 kartonë të verdhë… marrë nga faqja e UEFA-s. Ndeshja e djeshme (pardjeshme) në Shiroki Brijeg ishte një akt i paprecedentë në historinë e futbollit europian dhe vrasje e futbollit nga një arbitër”.